Rama: Albinin e kam mik, por nuk e mirëkuptoj si kryeministër

Kryeministri Rama tha se planifikon të bëjë takime me gjithë kryeministrat dhe presidentët në rajon për të folur mbi procesin e integrimit dhe për t’iu kërkuar kohezion e bashkëpunim.

Rama foli në një intervistë në “Euronews Albania” ku thumboi edhe njëherë Albin Kurtin dhe marrëdhënien e tij me ndërkombëtarët. Duke folur për mbylljen e “Open Balkan”, Rama tha se kryeministri i Kosovës nuk mund ta fitojë i vetëm betejën diplomatike si Don Kishot.

“Albini është një person të cilin unë e çmoj, një mik që e respektoj, por në këtë rast është kryeministri i Kosovës të cilin unë nuk e mirëkuptoj. Plani franko-gjerman s’mund të qëndrojë aty për gjithë jetën dhe kryeministri i Kosovës nuk mund ta fitojë këtë betejë diplomatike vetëm si Don Kishot. Pasi ka arritur në këtë pikë, pasi e ka futur Serbinë në një kuadrat të ngushtë, bashkësia euroatlantike nuk arrin dot as ta kuptojë, as ta justifikojë dhe as ta tolerojë sjelljen e autoriteteve të Kosovës dhe qasjen e kryeministrit, Albinit që është një sjellje sikur kjo tjetra të mos ekzistonte, sikur të ishim kushedi sa vite para dhe sikur gjithë ky proces të mos kishte ndodhur”, tha Rama.