Qeveria merr vendimin: Rritet numri i vendeve të punës në ministri, pagat nga më të lartat

Numri i lartë i punonjësve të administratës publike është një çështje e diskutuar gjerësisht, pasi administrata është mbushur me të punësuar partiakë që marrin rrogën kot.

Por kjo nuk përbvën asnjë problem për qeverinë, që sot ka marrë vendimin të rrisë numrin e të punësuarve në çdo ministri. Zv.kryeministrja dhe njëkohësisht dhe ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka treguar se duke filluar nga shtatori në çdo ministri do të krijohen -nukla të inovacionit, të cilat kanë për detyrë t’i propozojnë ministrit dhe organizatës së çdo ministrie projektet e reja.

Sipas saj, pagat në këtë sector do të jenë nga më të lartat se sektorët e tjerë “për të përthithur trurin më të mirë të tregut shqiptar dhe të diasporës”.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, këtë të enjte pas një periudhe pushimesh detyra të reja janë në fokus. Në këtë mbledhje është diskutuar krijimi i nuklave të inovacionit në çdo ministri një kërkesë e kryeministrit e lidhur me të gjitha zhvillimet që ndodhin në Shqipëri, me nisjen e digjitalizimin e të gjithë shërbimeve ku qytetarët e kanë të prekshëm këtë shërbim dhe duhet që të përmendim se Shqipëria operon me teknologji moderne siç është rasti i satelitëve. Sot ne kemi rezultate të prekshme dhe po përdoren për arsye të mira si në rastin e emergjencave civile dhe për turizmin, Bujqësinë, infrastrukturën dhe zhvillimin.

Tashmë na ka lindur nevoja për nukla inovacioni në çdo ministri që do ti propozojnë ministrit dhe organizatës së çdo ministrie projektet e reja. Ne duhet që të dalim në treg për të marrë sa më shumë persona që janë të dhënë pas inovacionit. Duke dit pagat e tregut që tashmë janë të larta, për nuklat e informacionit dhe të inovacionit pagat do të jenë më të larta se sektorët e tjerë për të përthithur trurin më të mirë të tregut shqiptar dhe të diasporës. Brenda vjeshtës pritet që ne t’i kemi të përdorshme këto nukla në çdo ministri, kemi diskutuar dhe për një vendqëndrim të përbashkët për këto nukla”, u shpreh ndër të tjera Balluku.