Qëlluan me armë mbi Policinë, Gjykata e Durrësit lë në burg dy autorët

Gjykata e Durrësit caktoi masën “arrest me burg” për Ardit Domin dhe Lorenc Çalin, të dy të dyshuar si pjesë e një grupi grabitësish dhe autorë të një përplasjeje me armë me policinë më 24 gusht.

Sipas prokurorisë, të rinjtë nuk iu bindën urdhrit për ndalim dhe qëlluan ndaj policëve gjatë ndjekjes, e cila përfundoi në Vorë me plagosjen e Domit dhe arrestimin e Çalit.

Ata akuzohen për “vrasje në tentativë ndaj punonjësve të policisë”, “vjedhje me armë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Ngjarja ndodhi në orën 01:00 të mëngjesit të 24 gushtit.

Dy të rinjtë, të cilët kishin kryer vjedhje, hapën zjarr pas mesnatës teksa po ndiqeshin nga policia.

Efektivët konstatuan gjatë natës automjetin që ata kishin vjedhur më 20 gusht te Sektor Rinia, dhe me të cilin një ditë më pas, kishin grabitur me dhunë xhiron ditore të një pike karburanti në Sukth dhe i ndoqën.

Pas arrestimit, në vendin e ngjarjes, u gjet një automatik me dy krehëra që u përdor nga dy autorët.