Putin sfidon Perëndimin: Territori i Ukrainës nuk negociohet

Presidenti rus Vladimir Putin dha të mërkurën një sinjal të qartë se nuk do të bëjë kompromis mbi kërkesat e tij që Ukraina të dorëzojë territor, pavarësisht përpjekjeve gjithnjë e më intensive të presidentit amerikan Donald Trump për arritjen e paqes.

Në një fjalim të ashpër, të mbajtur në kohën kur liderët amerikanë dhe evropianë janë të përfshirë në përpjekje të ethshme diplomatike për të siguruar një marrëveshje paqeje, Putin sulmoi aleatët evropianë të Ukrainës dhe tha se Rusia do të marrë territor me forcë, nëse do të jetë e nevojshme.

“Ne do të preferonim ta bënim këtë dhe të eliminonim shkaqet rrënjësore të konfliktit përmes diplomacisë,” tha Putin në mbledhjen vjetore të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
“Por nëse vendi kundërshtar dhe mbështetësit e tij të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake,” shtoi ai.

Putin iu referua rajoneve që kërkon t’i aneksojë nga Ukraina, çështje kjo që mbetet një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes në bisedimet për paqe.

Çështja e territorit, si dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën, ka rezultuar e vështirë për t’u zgjidhur gjatë negociatave, duke nxjerrë në pah prioritetet e ndryshme të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Rusisë.

Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme rajonin ukrainas të Donbasit, por nuk e ka pushtuar plotësisht atë. Sipas një analize të Institutit për Studimin e Luftës, një qendër monitorimi e konfliktit me bazë në SHBA, me ritmin aktual të avancimit, Rusisë do t’i duhej deri në gusht të vitit 2027 për të marrë të gjithë rajonin.

Të hënën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Kievi nuk do ta njohë pjesën e pushtuar përkohësisht të Donbasit lindor si territor rus, as ligjërisht dhe as de facto.

Zelensky iu referua gjithashtu deklaratës së Putinit për “tokat historike”. “Ka edhe vende të tjera në Evropë që dikush në Rusi mund t’i quajë një ditë ‘tokat e tij historike’,” paralajmëroi ai. “Ne kemi nevojë për mbrojtje reale nga kjo histori ruse e çmendurisë.”

Trump ka shprehur vazhdimisht optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, duke thënë këtë javë se “jemi më afër se kurrë më parë”.

Aleatët evropianë të Ukrainës, ndërkohë, tregohen më të kujdesshëm dhe kanë kërkuar garanci të forta sigurie për vendin.

Putin theksoi këtë dallim në fjalimin e tij, duke thënë se Rusia është “në dialog me SHBA-në”, por se një angazhim domethënës me Evropën për paqen është i pamundur nën udhëheqjen aktuale politike.

“Shpresoj që i njëjti angazhim të ndodhë edhe me Evropën,” shtoi ai. “Me elitën aktuale politike kjo është e pamundur, por gjithsesi do të jetë e pashmangshme, teksa ne vazhdojmë të forcohemi. Nëse jo me politikanët aktualë, atëherë kur elitat evropiane të ndryshojnë.”

Komentet sfiduese të Putinit vijnë përpara një samiti të rëndësishëm këtë javë në Bruksel, ku liderët evropianë do të diskutojnë nëse duhet të përdorin asetet ruse të ngrira për të financuar Ukrainën.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje në një fjalim para Parlamentit Evropian, duke u bërë thirrje vendeve të kontinentit të marrin përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe të vazhdojnë financimin e mbrojtjes së Ukrainës kundër Rusisë.

“Nuk ka akt më të rëndësishëm të mbrojtjes evropiane sesa mbështetja e mbrojtjes së Ukrainës. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për këtë. Na takon ne të zgjedhim se si do ta financojmë luftën e Ukrainës,” tha von der Leyen.

Aktualisht po diskutohen dy propozime evropiane për financimin e Ukrainës: një që parashikon përdorimin e aseteve të ngrira ruse dhe një tjetër që bazohet në huamarrje.