Erald Kapri
Jeta intime e Ahmet Zogut ka mbetur një prej temave historike që ngjallin ende kërshëri. Monarku shqiptar, i cili lidhi kurorë me konteshën hungareze Geraldina Apony, jetoi një jetë playboy deri në martesën e tij, ku nuk munguan as dashuritë e mëdha dhe as lidhjet për interesa politike.
Ahmet Zogu u shkollua në Stamboll dhe ende adoleshent la gjurmë në nisjen e shtetit të ri shqiptar teksa shfaqet një lider 17 vjeçar në Kuvendin e Vlorës, në krye të qindra matjanëve. Gjatë Luftës së Parë Botërore, i graduar kolonel në ushtrinë Austro-Hungareze, Zogu syrgjynoset në Vjenë për rreth 1 vit e gjysmë, duke ndikuar fort në formimin dhe shijet e tij. Jeta në kryeqytetin europian do të luante një rol të pazëvëndësueshëm teksa i riu Zog do të mësonte mbi jetën mondane, operat, kafenetë dhe njohjen me vajzat europiane.
Një prej dëshmive të hershme është se Zogu u dashurua fort pas një vajze hungareze gjatë kohës që jetoi në Vjenë. Kjo dashuri, e cila nuk zgjati shumë, i la mbresa të forta duke mos e harruar kurrë përvojën e tij hungareze. Kjo dashuri e parë përflitej mes elitës së kohës së Tiranës, e huaj dhe shqiptare, nisur nga fakti që Zogu monark këmbëngulte që Mbretëresha e tij e ardhshme të ishte hungareze. Mesa duket, dashuria e parë nuk u harrua asnjëherë nga Mbreti Zog.
Në fillim të viteve 20, kur jeta e tij politike nisi vrullshëm, Zogu çimentoi një marrëveshje politike përmes fejesës më vajzën e njeriut më të pasur të Shqipërisë. Behije Vërlaci, vajza e Shefqet Verlacit, u fejua me Ahmet Zogun. Kjo lidhje politike i shërbeu mjaft Zogut por ai nuk mundi të takohej kurrë me Behijen ndonëse përflitej se ishte një nga vajzat më të bukura në Shqipëri. Në vitin 1924, Ahmet Zogu detyrohet të largohet nga Shqipëria, dhe gjatë kohës së jetesës në Serbi, ai njihet me një austriake e quajtur Franceska Janko, por që elita e Tiranës e thërriste Franzi. Ajo do të jetonte vite të tëra në Tiranë pranë Zogut duke jetuar lidhjen e tyre në fshehtësi. Tashmë, i konsoliduar në pushtet, Zogu prish edhe fejesën me Behije Vërlacin, edhe pse zyrtarisht qendruan më shumë se 6 vite të fejuar.
Franzi largohet nga Shqipëria por nuk humbet kontaktet me Zogun. Në të vetmet vizitë që Zogu bën jashtë vendit në 1931, në Vjenë për t’u kuruar nga dhimbjet e stomakut, Ahmet Zogu ritakohet me të dashurën e vjetër. Shtypi austriak dokumentoi se të dy bashkë vizituan dyqane e restorante së bashku.
Por Franzi nuk ishte vajza e vetme e huaj që jetoi një lidhje të fortë dashurie me Ahmet Zogun. Një yll francez i kohës, një valltare kabaresh, Tanja Visarova, mbërriti në Shqipëri në vitin 1929 kur ishte vetëm 21 vjeçe. E ftuar për të performuar në Tiranë nga njerëzit e mbretit shqiptar, në fakt Tanja zbuloi si ishte një fiksim i fortë i Mbretit Zog, me siguri nga fotot e saj të shumta në revistat e kohës. Siç tregon ajo, ata kaluan më shumë se një muaj duke u takuar së bashku derisa Tanja nisi një lidhje pasionante e të fshehtë me Zogun. Ajo braksiti karrierën e saj në Francë dhe qendroi e fshehur për dy vite në Shqipëri duke jetuar si çift pa kurorë e Ahmet Zogut.
Tanja Visarova

Kujtimet e Visarovës mbi jetën intimeve të të dyja mbeten mjaft interesante dhe me mjaft detaje që nga fakti se Zogu e takonte me protokoll dhe me orare të reduktuara për shkak të ngarkesës në pune. “Protokolli parashikonte madje edhe orët tona të dashurisë. Dashuria bëhej gjithnjë në të njëjtën orë, ndoshta mund ta quaje të gjithë këtë, “nëpunësi”, ndonëse unë nuk kisha shpirt prej funksionareje. E megjithatë ajo bëhej, pavarësisht nga unë. Zogu nuk ishte një qenie e ndezur në pasione, më dashuronte, kishte dobësi të madhe për mua, por protokolli, kotësitë e funksionit të tij mbretëror merrnin frenat dhe vinin nën kontroll gjithë gjërat e tjera”, shkruan Visarova në kujtimet e saj. Detajet e tjera në kujtimet e saj tregojnë se Tanja paguhej nga Mbreti Zog dhe madje i fali nje cope tokë nga pronat e veta në Qafzotaj të Durrësit.
Por lidhje të tjera të Mbretit Zog janë përfolu edhe me shqiptare të njohura. Mes tyre, më e njohura, ishte Sarah Blloshmi. Më e emacipuara e kohës në Shqipëri, mbesa e Ismail Qemalit, Sarah ra në sy për bukurinë e saj në vitet 20. Humbi bashkëshorin në moshë të re, dhe gjatë viteve 30 përflitej se Sarah vizitonte shpesh Pallatin Mbretëror. Por nuk ka asnjë provë konkrete të lidhjes mes tyre.
Sarah Blloshmi

Kulisat për martesë politike
Me kurorëzimin si Mbret, martesa e mbretit beqar shqiptar kishte interes të madh politik për italianët. Një martesë e tij me një fisnike italiane do të konsolidonte më tej influencën e tyre në Shqipëri. Ambasadorët dhe diplomatët e kohës që shërbyen në Shqipëri kanë insistuar shpresh tek Ahmet Zogu për të gjetur fatin e tij në Itali, por që Zogu me mjeshtëri ka refuzuar duke vendosur kushte të papranueshme. Italianë shprehën interes që Zogu të martohej me një Markeze me preardhje nga Skënderbeu, nga arbëreshët e Italisë, por Zogu shfaqi interes për vajzën e vogël të Mbretit Viktor Emanueli, Xhovana, e cila cilësoi si princesha më e bukur e Europës. Por ky ishte një çmim i lartë që Familja Mbretërore Italiane nuk mund ta paguante por që edhe Zogu e nuhaste këtë refuzim, ndaj me qëllim këmbëngulte për princesën italiane. Gjithsesi, sa kohë që Zogu nuk shfaqte interes për dikë tjetër, italianët ishin të qetë.
Fejesa sekrete me konteshën e pasur hungareze
Ujëra u turbëlluan pas viteve 1935 kur Mbreti Zog nisi të interesohej për bashkëshorten e tij të ardhshme dhe synimi i tij ishte një fisnike hungareze. Një konteshë e panjohur pati vëmendjen e Zogut por italianët e nuhatën dhe i prishën punë në fshehtësi. Ambasadori britanik në Romë, tregoi në një informacion për Londrën, se italianët u përfshinë në këto zhvillime për të prishur punë dhe angazhuan 2 nga burrat më të pashëm të cilët shkuan në Budapest për të arritur një kompromis me zonjën në fjalë. Njëri nga ana të dy ia doli dhe mundësia që zonja të bëhej Mbretëreshë e Shqipërisë u venit.
Por pavarësisht këtij sabotimi, Zogu nuk u ndal. Ishin të shumtë fisnikët hungarezë me të cilët Zogu kishte afrimitet. Studiuesja hungareze Csaba Katona ka hulumtuar mbi gjithë përpjekjen e disa fisnikëve për t’i gjetur Mbretit Shqiptar bashkëshorten e duhur. Detajet interesante tregojnë se Geraldina, mbretëresha e ardhshme shqiptare, erdhi vetëm si rastësi pasi para saj, Mbreti Zog ishte shumë afër finalizimit të martesës me kontesha të tjera huntareze. E para e përfshirë mes tyre ishte Kontesha Kata Teleki por që mesa duket ajo refuzoi në fund të lidhej më Zogun.
Kontesha Kata Teleki

Ndërkaq, një prej konteshave më të bukura dhe më të pasura të Hungarisë, Hanna Mikes, ishte pranë finalizimit të fejesës me Zogun, madje sipas studimit të studiueses hungareze, në rrethin e saj miqësor fejesa konsiderohej çështje muajsh. Kontesha Hanna Mikes ishte një sensansion për shtypin hungarez dhe historia e saj shpërtheu në public teksa u zbuluan disa udhëtime në Shqipëri në vitin 1937, dhe në veçanti gjatë festimeve të 35 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. I ati i saj, Konti Mikes, një biznesmen i fuqishëm në fushën e tregtisë së druve, kishte krijuar një lidhje të hershme biznesi me Zogun në të njëjtën fushë, ndaj kjo fejesë dukej ideale. Por një ndërhyrje e fuqishme italiane, pasi historia doli në publik, bëri që italianët të shantazhonin Zogun dhe ky të ndalte planet e fejesës. Kontesha Hanna Mikes u revoltua nga refuzimi i Ahmet Zogut. Ajo u martua pak më vonë me të birin e Kryeministrit Hungarez.
Hanna Mikes

Martesa me Geraldinën
Teksa skenari hungarez dukej se po venitej, kontesha Teleki, e cila më herët kishte refuzuar të martohej me Zogun, udhëton drejt Shqipërisë me një fotografi me vete. Ajo i tregoi Mbretit Zog fotografinë e Konteshës Geraldinë Apony, një vajzë 23 vjeçare, e cila punonte në Muzeun e Budapestit. Familja e saj ishte ndër fisniket e vjetra hungareze, e kishte humbur rëndësinë e saj ekonomike dhe politike, por sërish mjaft e respektuar. Ahmet Zogu pranon ta takojë dhe e fton Geraldinën në festimet e Vitit të Ri 1938 në Pallatin Mbretëror shqiptar. Në atë mbrëmje, ata vallëzuan së bashku në vigjilje të vitit të ri në mbrëmjen e organizuar në oborrin mbretëror. Dëshmitë e kohës flasin për një dashuri me shikim të parë dhe më pas historia dihet. Ahmet Zogu shpall fejesën me Geraldinën brenda muajit, duke tejkaluar italianët e xhindosur, dhe dasma vendoset të bëhet sa më shpejt, në fund të prillit 1938. Ambasadori britanik në Tiranë Andrew Ryan jep detaje mjat interesante nga zhvillimet e kësaj martese. Zogu humbi një kredi italiane vetëm që të martohej me Geraldinën.
Kontesha Geraldina Apony
