Puna e SPAK në një vit, Dumani: Korrupsioni i lartë zhvillohet përmes skemave të sofistikuara, 33 ish-zyrtarë u vunë në hetim gjatë 2024

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani raporton sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për punën e SPAK gjatë 2024-ës. Të pranishëm gjate raportimit të Dumanit janë përfaqësues të OPDAT dhe përfaqësues nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Altin Dumani nënvizoi se gjatë vitit 2024, janë përballur me disa sfida, por këto sfida nuk i kanë penguar për të vijuar me punën e tyre.

Kreu i SPAK tha se 33 ish-zyrtarë të lartë janë vënë nën hetim gjatë vitit 2024 ndërsa për 10 funksionarë të lartë, ka pasur vendime të formës së prerë.

Ndër të tjera, Altin Dumani tha se korrupsioni i zyrtarëve të lartë zhvillohet me skema të sofistikuara, si ndikimi institucional, përfshirja e rrjeteve kriminale dhe pastrimi i parave.

“Sa i takon luftës kundër korrupsionit, janë hetuar një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë 2024, janë nën hetim 33 ish zyrtarë të lartë, dy prej tyre në dy procedime të ndryshme, Nga këto, 19 janë dërguar për gjykim në gjykatë duke përfaqësuar 52.9% të rasteve. Në vitin 2024, janë 10 funksionarë të lartë publikë për të cilët ka pasur vendime të formës së prerë. Nga ana tjetër, numri i personave të dërguar në gjykatë përbën rreth 35.2% të totalit të individëve në hetim. Hetimet e vitit 2024, tregon se korrupsionit i zyrtarëve të lartë zhvillohet me skema të sofistikuara dhe faktorë si ndikimi institucional, përfshirja e rrjeteve kriminale dhe pastrimi i parave. Rritje ka shënuar edhe numri i procedimeve për veprën penale për pastrim parash, rritje me 34%, krahasuar me vitin paraardhës, rritje në masën 34% ndërkohë që krahasuar me 2021 këto procedime janë trefishuar. Gjatë 2024, konstatohen 132 hetime të filluara me kallëzime nga individë dhe institucione. Hetimet e filluara nga kallëzimet e qytetarëve janë dëshmi e rritjes së publikut te institucioni i Prokurorisë së Posaçme”, tha Dumani.

Po ashtu Dumani tha se ka një ulje të kallëzimeve nga ana e Policisë së Shtetit në lidhje me kallëzimet që janë referuar në SPAK.

“Ka rënie të numrin të kallëzimeve nga ana e Policisë së Shtetit, që janë referuar në SPAK. Nga 65 në 30 çështje, e krahasuar nga 2023 në 2024, kanë rënë denoncimet e policisë së shtetit. Në 2024 janë regjistruar 327procedime të reja. 2018 çështje të përfunduara me 18% rritje në krahasim me 2023. Ulje e nisjes së hetimeve për kallëzimet e nisjes së hetimeve nga Policia”, vuri në dukje kreu i SPAK.