Ashtu siç ka ndodhur zakonisht, Kuvendi ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës projektligjet e qeverisë. Në seancën e sotme, u miratua “Paketa e Maleve” me 73 vota pro, 1 kundër dhe një abstenim. Edhe pse kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi doli kundër miratimit të këtij projektligji, pasi prek politika të rëndësishme fiskale, dhe rrjedhimisht, ndikojnë tek zgjedhësit teksa vendi përgatitet për 11 Majin, Kuvendi nuk humbi kohë dhe e dërgoi në KAS. Por ky i fundit rrëzoi KQZ-në duke i hapur rrugë Kuvendit një ligj që favorizon investitorët strategjikë.
Sipas këtij projektligji, investitorët strategjikë që do të investojnë në këto zona malore, do t’u bëhet e mundur që ta përfitojnë truallin vetëm për 1 euro. Por nuk mbaron këtu, pasi qeveria ka menduar që t’ua lehtësojë sa më shumë punën investitorëve strategjikë, me kusht që të përfundojnë projektet e miratuara brenda 10 viteve.
Jo vetëm që do të përfitojnë pronën shtetërore për vetëm 1 euro, por ata që realizojnë projektet dhe ushtrojnë aktivitetin e deklaruar, do të përfitojnë për 10 vite përjashtimin nga 4 taksa:
1- Përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë – subjektet nuk paguajnë taksë për ndërtimet apo zhvillimet në sipërfaqet e përfituara.
2- Përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme – pronat e përfituara nuk janë subjekt i kësaj takse për 10 vite.
3- Përjashtim nga TVSH-ja – transaksionet dhe aktivitetet lidhur me projektin përfitojnë përjashtim nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
4- Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat – fitimet e realizuara nga aktivitetet në përputhje me projektin e deklaruar nuk janë subjekt i tatimit për periudhën e specifikuar.