Pavarësisht provave të reja të sjella nga SPAK në Këshillin e Mandateve, ku prokurorët treguan se disa persona “të fortë” kanë kërcënuar me jetë dëshmitarët në emër të Belinda Ballukut, Partia Socialiste nuk ka ndërmend të lejojë SPAK të arrestojë zv.kryeministren e pezulluar.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha pas mbledhjes se 5 deputetët e mazhorancës nuk janë dakord të dorëzojnë imunitetin e Ballukut, pasi masat e marra deri më tani ndaj saj janë të mjaftueshme për hetimin.
Ai deklaroi se do të ketë një mbledhje të grupit parlamentar pas raportit që do të hartojë Ulsi Manja, ndërkohë që Partia Demokratike do të hartojë një tjetër raport, pasi palët nuk kanë rënë dakord.
“Me arsye të plota Kuvendi ka marrë kohën e nevojshme për këtë proces pas edhe përfshirjes së Gjykatës Kushtetuese. Diskutimi i sotëm dhe pyetjet e anëtarëve të këshillit ka hedhur dritë mbi elementin thelbësor, prezumimin e pafajësisë. Askush nuk është i fajshëm sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë të gjykatës. Pala tjetër nuk kishte nevojë për shqyrtim se e kishin marrë vendimin e tyre për qëndrimin. Në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve të PS kam informuar këshillin e mandateve se sa i përket propozimit të grupit të PD për dhënien e autorizimit ne nuk ishim dakord me atë mënyrë si është propozuar dhe do kemi një diskutim dhe një informim nga ana ime në mbledhjen e parë të grupit parlamentar të PS. Nuk e jep autorizimin këshilli, por e jep seanca plenare. Pas atij komunikimi i cili grupi i PS, në përfundim të këtij procesi sapo kolegu im Ulsi Manja të ketë hartuar plotësisht raportin në emrin e 5 deputetëve tanë, do kemi dy relatorë, zoti Manja do hartojë raportin tonë ndërkohë që PD do sjellë raportin e saj”, tha Balla.