Ndërkohë që në Kuvend opozita kërkonte të mbahej seanca për të votuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt, kryetarja e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka ka mbajtur në një nga sallat e tjera mbledhjen për miratimin e kanabisit.
Drafti i Qeverisë ka marrë pro shumicën e votave të deputetëve socialistë, ndërkohë që Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko kanë abstenuar.Mbledhja e zhvilluar në një nga sallat e Parlamentit ka zgjatur vetëm pak minuta dhe ambienti nuk ka qenë i pajisur me kamera dhe regjistrues.
Sipas deputetëve demokratë ata nuk ishin njoftuar fare për mbledhjen e Komisionit. Ata, nga seanca e Kuvendit thanë se mbledhja ishte e jashtëligjshme pasi ishte zhvilluar pa kuorumin e nevojshëm.
“Ju merrni për 5 minuta vendimin për drogën. Po si keni arritur në këtë pikë?! E tha mirë Shalsi: ne vjedhim me lezet. Juve ju ka kap arroganca, nuk na llogarisni më”, tha deputeti demokrat Dashnor Sula në Parlament, i cili është dhe pjesë e komisionit të ligjeve.
Në një prononcim për mediat, deputeti tjetër demokrat te ligjet Saimir Korreshi, tha se nuk kishte një urdhër të kryetares së Kuvendit për zhvillimin e mbledhjes së komisionit në të njëjtën kohe me zhvillimin e seancës parlamentare. Kjo paligjshmëri sipas tij, bashkë me mungesën e kuorumit, e bën mbledhjen e ligjeve nul.