Sot Partia Socialiste feston 33 vjetorin e themelimit të saj, që e gjen këtë forcë politike më të stabilizuar se kurrë, me 11 vite radhë në pushtet dhe me kundërshtarë të përçarë.
Kryeministri Rama njihet si një inovator, që po përpiqet të implementojë edhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në tenderat e qeverisë, për të shmangur aferat e mëdha korruptive që ministrat e tij kanë bërë ndër vite.
Por, teksa klikojmë në uebin zyrtar të Partisë Socialiste, në fund të faqes, shohim edhe arritjet kryesore të qeverisë, mes të cilave është “Niveli më i ulët i papunësisë”; “0 Taksa për pagat deri në 40 mijë lekë”; “+82% rritje e pagës minimale”.
Deri këtu është gjithçka mirë, por ka edhe një arritje tjetër: “0 TASKA PËR BIZNESIN E VOGËL DERI NË VITIN 2029”!
Në Partinë Socialiste duket se paskan harruar që biznesin e vogël jo vetëm që po e tatojnë nga 1 Janari i këtij viti, por edhe ua kërkojnë taksat të parapaguara, duke vënë në vështirësi mijëra biznese të vogla dhe duke sjellë falimentimin e një pjese të madhe të tyre.
Premtimi i madh i Ramës ka 6 muaj që është thyer dhe askush nga qeveria nuk ka bërë asnjë deklaratë për këtë mashtrim që iu bë qytetarëve.
Por pavarësisht kësaj, ky mashtrim qëndron në faqen e PS-së si një arritje, ndoshta për të treguar më së miri nivelin e propagandës që bëhet nga qeveria, që skandalet synon t’i mbyllë duke heshtur apo duke treguar propaganduar rritje ekonomike imagjinare, në një kohë kur shqiptarët largohen çdo ditë për shkak të papunësisë dhe varfërisë.
