PS e nis me “dasëm” fushatën elektorale, socialistët ia marrin valles në mes të Tiranës

Partia Socialiste ka çelur këtë të shtunë fushtën elektorale në sheshin “Skënderbej”. Aktiviteti nisi me prezantimin e kandidatëve të Ps në qarkun e Dibrës ndërsa një grup qytetarësh hodhën valle në mes te sheshit me një valle të zonës së Dibrës. Një praktikë që do të ndiqet edhe për 11 qarqet e tjera, ku do të prezantohen në skenë këngë dhe valle të secilës zonë.

Pas prezantimit të kandidatëve në 12 qarqet e tjera, pritet që të mbajë fjalën kryeministri Edi Rama. Ky i fundit ka mbërritur në sheshin ‘Skëndërbej’, duke përshkuar rrugën nga selia e PS-së për në vendin ku është vendosur të çelet fushata elektorale. Teksa mbante veshur një bluzë me simbolet e BE, kreu i qeverisë ka takuar një pjesë të të pranishmëve gjatë mbërritjes së tij. Kryeministri u shfaq po ashtu me syze dhe me një kapele ku shkruhet numri 5, i cili është numri i PS në fletën e votimit në 11 Maj.

Ndërkohë në shesh janë edhe 12 yje, që simbolizojnë 12 yjet e Bashkimit Europian, pasi kryeministri Rama ka si premtim kyç të fushatës anëtarësimin e vendit në BE.

Ndërkohë kujtojmë se slogani që do të shoqërojë fushatën elektorale të Partisë Socialiste është: “Shqipëria 2030 në BE! Vetëm me Edin dhe PS.”