Komisioni i Medias ka kërkuar shkarkimin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, pas shkeljeve që u konstatuan në garën për drejtorin e ri.
Në seancën e kaluar, anëtarët e Këshillit Drejtues pranuan parregullsitë që ishin bërë në garë ku me votë kualifikuan për në fazën tjetër, Jetmir Shpuzën dhe Aurora Polon dhe duke skualifikuar kandidatët e tjerë pa diskutuar nëse plotësojnë kriteret apo jo.
Po ashtu në mbledhjen u lejua që anëtari i Këshillit Drejtues, Mevlan Shanaj që gjendej në Vietnam të votonte, në një kohë që votimi duhet të ishte i fshehtë.
Ndërkohë sot Partia Demokratike ka rënë në dakordësi më Partinë Socialiste që Këshilli Drejtues i institucionit të shkarkohet i gjithi duke nisur procedurat. Propozimi i Komisionit të Medias do t’i dërgohet kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila do ta dërgojë në seancë plenare për miratim.
Sipas tyre anëtarët e Këshillit Drejtues të RTSH kanë konflikt interesi dhe ndër vite nuk kanë zbatuar rekomandimet e Kuvendit.
Kujtojmë se pak ditë më parë Gëzim Podgorica dhe Genc Përmeti dhanë dorëheqjen nga Këshilli Drejtues i RTSH-së.