Leka Bungo i thotë të gjitha: Në RTSH mungon transparenca! Enkelejd Joti të kthejë 375 milion lekë, Aurora Polo nuk plotëson kriteret për drejtoreshë

Kreu i Këshillit  Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Leka Bungo, ka folur sot në Komisionin e Medias, duke hedhur akuza të forta në lidhje me abuzimet që janë bërë në atë institucion.

Ai tha se në RTSH mungon transparenca, duke filluar nga anëtarët që mungojnë në mbledhje dhe marrin lekët, te procedura e zgjedhjes së drejtorit të ri të këtij institucioni, pas largimit të Alfred Pezës.

Sipas tij, Aurora Polo që është edhe kandidatja kryesore për të marrë vendin e Pezës, nuk duhej të futej fare në garë, pasi nuk plotëson kriteret për të qenë drejtoreshë. Bungo deklaroi se Aurora Polo nuk ka punuar asnjë ditë në emdia dhe është në konflikt interesi.

“Lidhur me garën për zgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm pas dorëheqjes së ish-drejtorit, unë kam këtë për të treguar, e kam të dokumentuar një për një. Mendoj se paligjshmëri në procesin zgjedhor është koshiente sepse nga të gjithë dokumentacionet që kam këtu, të gjithë anëtarët pa përjashtim e dinë, e kanë lexuar, ua kam thënë, se zgjedhja e një kandidatura si Aurora Polo që u fut në garë, nuk plotësojnë kriterin kryesor për Drejtor.

Kjo paligjshmëri ka filluar shumë muaj më parë me Polon, e cila e propozuar nga drejtori i atëhershëm, për të njëjtat arsye nuk duhej të zgjidhej si zv.drejtoreshë. Me shumicë votash ajo u zgjodh.

Ligji që e pengonte zgjedhjen e saj është i njëjti ligj që vijon ta pengojë, është një nen që thotë ‘zv.drejtori, drejtori dhe drejtuesit e njësive administrative të RTSH duhet të kenë të njëjtin suport ligjor, duhet të kenë mbi 10 vjet punë dhe jo më pak se 5 vjet në median e shkruar ose audiovizive.

Në RTSH mungon transparenca dhe ky është kanceri në atë institucion, dhe kjo nuk është e paqëllimtë. Është mbajtur e mbuluar që të mos dalin në shesh bëmat që kanë bërë drejtuesit e atij institucioni. Unë mendoj se mungesa e transparencës është një minus i madh, serioze dhe sjell ngërçe. Edhe pas rrëmujës, dhe anulim, që në proces ka pasur mangësi ligjore, dhe një nga përgjegjësit jam unë si kryetar i Këshillit. Sepse megjithëse jam kryetar kam vetëm çelësat e kashtës në dorë. Domethënë, kryetari nuk mundet edhe kur konstaton shkelje të veprojë, edhe kur një anëtar tallet me të dhe nuk vjen në mbledhje dhe i merr lekët, prapë nuk mund të thotë gjë.

Dhe votimi i zv. drejtoreshës është i paligjshëm, dhe është votuar prapë me shumicë votash për drejtoreshë. I vetmi që kam qenë kundër atëherë, dhe këtë herë. Dikush në mbledhjen ku unë kam munguar ka thënë pse nuk jam, ndërkohë që në mbledhjen më parë kam thënë se nuk pajtohem me mendimin tuaj dhe do ta çoj në gjyq dhe deri sa të zgjidhet nga gjykata, unë nuk do të marr pjesë në mbledhje”, tha Bungo.

Leka Bungo hodhi akuza të forta edhe ndaj ish-drejtorit Enkelejd Joti, pasi tha se ky i fundit duhet t’i kthejë RTSH-së 375 milionë lekë, sipas raportit që ka nxjerrë Kontrolli i Lartë i shtetit.

“Unë kam kërkuar nga këshilli drejtues dhe ata e kanë miratuar kërkesën time që të delegojmë të drejtën për të marr informacion nga administrata dhe unë këtë punë jam munduar që ta bëjë rregullisht, por asnjëherë s’kam marr një përgjigje të saktë dhe transparente me të 3 drejtorët. Mua më është thënë që t’i i dashur kryetar nuk mund të kërkosh informacion nga departamentet e tjera, ndërkohë që është e specifikuar që kryetari të marr informacion nga të gjitha departamentet, e kam me shkrim. Më është thënë nëse doni informacion do t’i drejtoheni drejtorit të përgjithshëm.

Dhe unë i jam drejtuar Enkelejd Jotit në shtyp, në mbledhje dhe në këtë sallë, ku kam thënë po nëse unë do të kem mendimin që t’ju pyes zoti drejtor a keni vjedhur ndonjë lekë këtë muaj, ju do të më përgjigjeni mua? Kjo është mënyra e komunikimit tuaj me këshillin drejtues? Ka precedentë dhe më i freskët është ai para 10 ditësh, ku drejtori Enkelejd Joti është i detyruar të kthejë me emër dhe me mbiemër 375 milion lekë në arkën e RTSH dhe ky është përfundimi i KLSH, s’është i imi”, tha Leka Bungo.