PS çel sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 Majit

Partia Socialiste do të hapë sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 11 Majit në sheshin “Skënderbej”.  Hapja e fushatës më 12 Prill në orën 12:00 do të ketë si simbolikë 12 yjet në flamurin e Bashkimit Europian.

“Shqipëria 2030 në BE! Vetëm me Edin dhe PS.” Ky është slogani që do të shoqërojë fushatën elektorale të Partisë Socialiste deri më 11 Maj.

Ndërkohë ditën e djeshme, PS zhvilloi një aktivitet me gra dhe vajza socialiste, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

Ky i fundit deklaroi se në vitin 2030 Shqipëria do të drejtohet nga një grua. Në këtë rast, rama bëri “orakullin”, ku pretendon se di jo vetëm fituesin e “11 Majit”, por madje edhe fituesin e vitit 2030.

“E kemi hapur trasenë për të ndërtuar dy ose tre aleanca shumë strategjike që do ta shndërrojnë, mbajeni mend sot këtë fjalë dhe në 2030 me ndihmën e Zotit do të shihemi përsëri, se do të vijmë të mbështesim kryeministren grua. Në vitin 2030 Shqipëria do të drejtohet nga një grua”, tha Rama.