Dhoma e Avokatisë në Durrës ka zhvilluar sot një protestë, teksa kanë lajmëruar bojkotim të seancave gjyqësore për një javë.
Shkak është bërë vendimi i kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për të mbyllur dyert për avokatët sa i përket hyrjes së tyre në ambientet e brendshme.
Kjo ka nxitur reagimin e Dhomës së Avokatisë, gjithashtu edhe avokatëve që janë pjesë e kësaj strukture përsa i përket masave që gjykata ka marrë për hyrjen e tyre në ambientet e brendshme duke bërë që të bojkotojnë deri më datë 7 Qershor të gjitha seancat, përveç atyre që lidhen me masat e arrestit, ku do të jenë të pranishëm.
Nga Dhoma e Avokatisë bëjnë me dije se këto të fundit detyrohen të qëndrojnë në ambientet e jashtme dhe të presin për çdo seancë bashkë me qytetarët duke mos i lejuar të futen në ambientet e jashtme. Sipas avokatëve, kjo nxit konfliktet mes qytetarëve dhe avokatëve që presin në ambientet e jashtme në kushtet e papërshtatshme.
Rreth 500 seanca gjyqësore të parashikuara për t’u zhvilluar në gjykatë, rrezikojnë të dështojnë, pasi avokatët shprehen në unison me vendimin e marrë nga Dhoma, sepse ndihen të diskriminuar dhe nëpërkëmbur.