Protestë në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup

Studentë shqiptarë kanë paralajmëruar se do të protestojnë në Tiranë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkojnë zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Mësohet se protesta do të zhvillohet më datë 26 Maj në orën 17:00.

Në njoftimin e shpërndarë në rrjete sociale, studentët do të mblidhen në sheshin “Skënderbej” në Tiranë dhe më pas do të marshojnë drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut.

Studentët shqiptarë në Shkup, kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe. Protesta e fundit ishte para dy ditësh ku mes të tjerash kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë atje.