Protesta të mëdha në Paris pasi policia vrau një 17 vjeçar

Protesta të mëdha kanë përfshirë Parisin që prej mbrëmjes së kaluar, pasi një 17-vjeçar u ekzekutua nga një polic. Viktima kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe sipas autoriteteve refuzoi të ndalonte pas thirrjes së tyre.

Vrasja u filmua dhe u bë menjëherë virale në rrjetet sociale, duke nxitur zemërim. Në videon që qarkullon në rrjetet sociale tregohet një oficer policie që i drejton armën shoferit të një makine, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Makina më pas përplaset për të ndaluar.

Policia tha fillimisht se ishte detyruar të hapte zjarr pasi adoleshenti kishte tentuar t’i përplaste me makinë, version i cili u rrëzua pas publikimit të videos.

Me mijëra të rinj dolën në rrugët e Parisit duke iu vënë flakën kazanëve të plehrave e duke hedhur fishekzjarrë në drejtim të policisë.

Oficeri i policisë që ekzekutoi 17-vjeçarin e kaloi natën në paraburgim, ndërsa ministri i Brendshëm Gerald Darmanin bëri apel për qetësi. Adoleshenti, i quajtur Naël M është personi i dytë këtë vit në Francë që vritet nga të shtënat e policisë gjatë një ndalimi trafiku. Vitin e kaluar, një rekord prej 13 personash vdiqën në këtë mënyrë.