Partia Demokratike proteston sot në orën 19:00 para Kryeministrisë, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka dalë në terren për të inspektuar masat që janë marrë për mbarëvajtjen e këtij tubimi.
Mësohet se të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës janë angazhuar 1500 efektivë policie, teksa protesta pritet të zgjasë deri në orën 22:00.
Forca të shumta policie janë vendosur në godinën e Kryeministrisë, gjithashtu janë vendosur edhe gardh metalik
Sakaq që prej orës 15:00 dhe deri në përfundim të protestës do të ketë bllokim rrugësh.
Akset në të cilat ndalohet qarkullimi i mjeteve janë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Rruga “Ukraina e Lirë”, Rruga “Papa Gjon Pali II”, Rruga “Ismail Qemali”.
Kjo është protesta e shtatë kombëtare e organizuar nga PD, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pasi ish-zëvendësja e tij, Belinda Balluku është e pandehur për dy afera korruptive.