Protesta e fermerëve grekë, aksi Janinë-Kakavijë bllokohet sërish sot

Aksi rrugor Kakavijë–Janinë do të bllokohet sërish sot duke nisur nga ora 19:00 deri në 22:00, për shkak të protestës së fermerëve.

Për tre orë nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, njofton Policia Kifitare e Kakavijës, me përjashtim të mjeteve që do të kenë emergjenca shëndetësore,

“Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në kryqëzimin e fshatit Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët. Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore”, njoftoi sot policia.

Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.

Fermerët grekë, të cilët kanë “paralizuar” vendin për shkak të protestave që vijojnë prej ditësh, kërkojnë lirimin e subvencioneve që janë vonuar për shkak të akuzave për korrupsion në programet e ndihmës shtetërore dhe zbatimin e rregulloreve për të ulur kostot e larta të prodhimit.