Pronat publike në ankand pa garë, si po i japin bashkitë tokat për përdorim nga bizneset private

Pronat publike po jepen në ankande pa garë nga bashkitë në vendin tonë, nga të cilat kanë përfituar bizneset private.

“Në dhjetë vitet e fundit, 41 bashki në vend kanë dhënë në ankand apo me qira 6 370 hektarë tokë dhe terrene për përdorim nga biznese private. Këto ankande janë zhvilluar jashtë procedurave transparente të konkurrimit, pa u realizuar përmes Sistemit Elektronik të Prokurimit të Agjencisë së Prokurimit Publik”, raporton Open Data Albania.

Përmes procedurës “Ofertë në Zarf”, një praktikë e mbyllur dhe jo transparente, rreth 750 prona publike janë transferuar në përdorim nga privatët.

Vetëm gjatë vitit 2024, është dhënë për përdorim 2 355 hektarë, një shifër që është dy deri në tre herë më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme.

Bizneset që fitojnë të drejtën e përdorimit përmes këtyre ankandeve bashkiake fitojnë statusin e “poseduesit jo pronar”, një status që më pas u jep atyre përparësi për privatizim pa kosto, duke u mbështetur në Ligjin “Paketa e Maleve” – një ligj i kontestuar nga organizatat joqeveritare si klientelist dhe korruptiv.