Flamur dhe Gëzime Sula, prindërit e 22 vjeçares italiane, Ilaria Sula e cila u vra me thikë nga ish-i dashuri i saj Mark Samson, kanë folur për mediat italiane duke kërkuar që autori të dënohet përjetë. Ata thanë se vrasësi e futi Ilarian në një valixhe si të ishte një objekt.
“Ai duhet të kalbet në burg përjetë. Atë që ai i bëri asaj, nuk ua bëjnë kafshëve. Vajza jonë nuk ishte objekt dhe ai e hodhi si të ishte një e tillë. Nuk ishte një triko, nuk ishte një palë këpucë, ishte njeri”, tha babai i saj.
Mes lotësh, ata tregojnë se fundjavën që ndodhi krimi i rëndë e prisnin vajzën e tyre që të shkonte në shtrëpi. Kur ajo nuk shkoi, kuptuan që diçka kishte ndodhur.
“E prisnim atë fundjavë. Vëllai i saj shkoi ta merrte në stacion, treni mbërriti dhe u largua përsëri dhe Ilaria nuk ishte aty. Ne u përpoqëm ta telefononim, por telefoni i saj ishte i fikur. Aty kuptuam se diçka kishte ndodhur”, u shpreh nëna e Ilarias, Gëzime Sula.
“Ata na hoqën një pjesë të zemrës, gjithçka. Vajza jonë është e mbyllur në një vend që nuk mund ta lërë më, nuk mund të kthehet në shtëpi, nuk do ta shohim më kurrë të hyjë në derë, të qëndrojë në dhomën e saj. Ajo na jepte forcë. Ne kemi për detyrë të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend”, thanë prindërit e 22-vjeçares.
Ndërkohë, vëllai i saj Leon Sula është shprehur se do donte të dinte nëse e motra ka pasur mundësinë për të thënë fjalët e fundit.
“Doja të dija nëse Iliarja ka pasur mundësinë për të thënë fjalët e fundit… Kush kanë qenë fjalët e fundit…”, tha ai.