Presidentja Vjosa Osmani: Draft-statuti i BE-së për Asociacionin nuk është në përputhje me Kushtetutën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se i ka shpalosur vërejtjet e saj për draftstatutin e propozuar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Këto pakënaqësi, e para e Kosovës ia ka përcjellë të dërguarit të BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Presidentja Osmani u shpreh se varianti i propozuar nga Bashkimi Evropian nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Sa i përket takimit që kishim me përfaqësuesin e ri të BE-së ne në detaje prezantuam vërejtjet tona sa i përket draftstatutit. U dakorduam që këto diskutime të vazhdojnë edhe më tej. Për shkak se shumë prej tyre janë në nivel ekspertësh. Po flasim për draftstatutin e BE-së, që personalisht mendoj se nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe as me normat e BE-së, standardet e Këshillit të Evropës dhe vendimin Kushtetueses së 2015. Një draftstatut i tillë nuk ka se si të hyjë në fuqi dhe nuk besoj qe do të kalonte testin në Gjykatën Kushtetuese. Më shumë ishte takim njoftues. Me lidershipin e ri të BE-së shpresojmë që balanci të kthehet në tavolinë sepse do t’i ndihmonte kredibilitetit të procesit”, theksoi Osmani.