Allison Guerriero, 52 vjeç, gruaja që ndihmoi në nxjerrjen në pah të veprimtarisë së ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, është gjetur e vdekur në apartamentin e saj në Boynton Beach, Florida.
Guerriero ndërroi jetë mbrëmjen e 27 gushtit, vetëm disa orë pasi kishte publikuar dhjetëra postime në rrjetin social X, përfshirë video ku fliste për ish-zyrtarë të FBI-së dhe shprehte kritika të ashpra ndaj agjencisë.
Në një prej videove të publikuara ditën e vdekjes, Guerriero tha se, pavarësisht traumave që kishte përjetuar, ndihej e lehtësuar dhe kërkoi që vëmendja të përqendrohej edhe te emra të tjerë brenda strukturave të FBI-së.
Babai i saj 80-vjeçar, Bill Guerriero, tha se familja ende nuk e di shkakun e vdekjes dhe është në pritje të raportit të autopsisë.
“Ne ende nuk e dimë. Po presim të kemi qasje në raportin e autopsisë. Mund të ketë qenë një aksident. Mund të ketë rrëshqitur. Mund të ketë ndodhur çfarëdo gjëje. Po presim certifikatën e vdekjes për të kuptuar se çfarë ka ndodhur”, tha ai.
Lidhja me ish-zyrtarin e FBI-së
Guerriero kishte pasur një lidhje 18-mujore me Charles McGonigal, ish-drejtuesin e kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork.
McGonigal, i cili më vonë u arrestua dhe u dënua me gjashtë vjet e gjashtë muaj burg federal, u shpall fajtor për vepra që përfshinin marrjen e pagesave të fshehta dhe bashkëpunimin me oligarkun rus Oleg Deripaska.
Guerriero kishte deklaruar publikisht se McGonigal meritonte një dënim më të rëndë dhe e kishte cilësuar atë si “tradhtar”.
Ajo pretendonte gjithashtu se kishte informuar persona brenda FBI-së për dyshimet e saj që në vitin 2019, disa vite përpara arrestimit të McGonigal në janar 2023.
Sipas rrëfimit të saj, pas ndarjes nga McGonigal, ajo filloi të rishikonte ngjarjet e periudhës së lidhjes së tyre dhe dyshoi se ai ishte i komprometuar.
“Ky njeri është tradhtar. Pranonte ryshfet për të ushtruar ndikim dhe pranonte para për të punuar me Oleg Deripaskën”, kishte deklaruar Guerriero.
Babai: Nuk besoj se ishte vetëvrasje
Miq dhe persona që e njihnin Guerrieron kanë shprehur mosbesim ndaj idesë se ajo mund t’i kishte dhënë fund jetës së saj.
Roger Stone, konsulent politik dhe aleat i Presidentit Donald Trump, tha se kishte komunikuar me të përmes mesazheve pikërisht ditën kur ajo vdiq dhe se ajo dukej në gjendje shumë të mirë shpirtërore.
“Ajo ishte një kërkuese dhe shkrimtare e shkëlqyer, me njohuri të jashtëzakonshme për zbatimin e ligjit dhe strukturat e inteligjencës. Ajo kishte një rrjet të gjerë kontaktesh dhe respektohej shumë në atë botë”, tha Stone.
Ai gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që Guerriero të kishte kryer vetëvrasje, duke e përshkruar atë si një person me besim të fortë fetar dhe me energji të jashtëzakonshme pavarësisht problemeve shëndetësore që kishte kaluar.
Edhe babai i saj tha se nuk kishte vënë re ndonjë shqetësim të pazakontë.
“Që kur u zhvendos në Florida, ajo ishte më e lumtura që e kam parë ndonjëherë. Kujdesej shumë për veten. Ecte çdo ditë, ushtrohej dhe ushqehej mirë. I pëlqente të zgjohej herët dhe të ecte deri në plazh”, tha ai.
Guerriero kishte folur edhe për paratë
Në intervista të mëparshme, Guerriero kishte treguar se gjatë lidhjes me McGonigal kishte zbuluar një shumë prej 80 mijë dollarësh në kartëmonedha 100-dollarëshe në apartamentin e tyre.
Sipas saj, McGonigal i kishte thënë se paratë i kishte fituar duke vënë bast në një ndeshje bejsbolli. Guerriero tha se në atë kohë kishte filluar të dyshonte për aktivitetet e tij.
Sipas dokumenteve të çështjes, më 5 tetor McGonigal kishte marrë 80 mijë dollarë nga një ish-zyrtar shqiptar i inteligjencës, në një automjet të parkuar pranë një restoranti në Nju Jork.
Guerriero tha se në atë kohë nuk kishte kuptuar se çfarë mund të kishte ndodhur, por më vonë filloi të lidhte ngjarjet me dyshimet që kishte për ish-partnerin e saj.
Një histori që përfundoi në gjykatë
Guerriero dhe McGonigal u njohën në vitin 2017, ndërsa ajo ishte vullnetare në një fondacion që mbështeste strukturat federale të zbatimit të ligjit.
Ajo ka treguar se McGonigal i kishte thënë se ishte duke u divorcuar nga bashkëshortja e tij. Marrëdhënia e tyre zgjati rreth 18 muaj dhe përfundoi në prag të Krishtlindjeve të vitit 2018, pasi McGonigal i tha se do të qëndronte i martuar.
Pas ndarjes, Guerriero filloi të ngrinte pikëpyetje mbi aktivitetet e tij dhe, në vitin 2019, u përpoq t’ua përcillte shqetësimet e saj personave që njihte në FBI.
McGonigal u arrestua në janar 2023. Çështja e tij zbuloi lidhje financiare dhe kontakte të fshehta që çuan në dënimin e tij federal.
Ndërkohë, rrethanat e sakta të vdekjes së Allison Guerrieros mbeten ende të paqarta. Autoritetet amerikane nuk kanë bërë të ditur shkakun zyrtar të vdekjes dhe hetimi vijon.