Një zhvillim i fortë ka tronditur sot institucionet më të larta të sigurisë në Shqipëri. Drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe është pezulluar nga detyra, në kuadër të një hetimi të SPAK që lidhet me dosjen e AKSHI-t.
Drejtuesja e SHISH është një prej personave më të ekspozuar ndaj informacioneve sensitive të shtetit. Hyseni përballet me akuza që lidhen me nxjerrjen e sekretit shtetëror dhe përkrahjen e autorit të krimit. Hetimi tashmë pritet të zbardhë nëse ka pasur transmetim të informacionit të klasifikuar te persona jashtë strukturave shtetërore dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur kjo.
Në kuadër të të njëjtit hetim, agjentë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle edhe në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Sipas raportimeve, gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje elektronike dhe materiale të ndryshme që mund të shërbejnë si prova në hetim.
SHISH është një prej institucioneve kryesore të sigurisë kombëtare. Nëse gjatë hetimit do të provohej se informacion i klasifikuar është nxjerrë nga strukturat e inteligjencës dhe është vënë në dispozicion të personave të tjerë, atëherë pasojat do të ishin të rënda.
A ka pasur rrjedhje informacioni nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë së vendit? Kujt i është dhënë ky informacion? A kanë ekzistuar kontakte të tjera mes zyrtarëve të lartë dhe personave të përfshirë në dosjen e AKSHI-t? Dhe pyetja më e rëndësishme: A është cenuar siguria kombëtare e Shqipërisë?
Sot Shqipëria përballet me një prej rasteve më të pazakonta në historinë e institucioneve të saj të sigurisë.