Policia pikë kontrolli në kampin MEK, muxhahedinët do të vëzhgohen sa herë hynë e dalin

Mëngjesin e kësaj të enjte policia ka shkuar sërish në kampin MEK në Manëz të Durrësit.

Sipas burimeve, në hyrje të kampit Ashraf 3 është vendosur një pikë kontrolli. Prej orëve të mbrëmjes së kaluar kanë nisur edhe veprimet për kontrollin kryesisht të automjeteve që futen dhe dalin nga kampi. Edhe pse kjo nuk u ka pëlqyer muxhahedinëve, deri tani nuk ka incidente.

Pika e kontrollit thonë burime, do të jetë e instaluar të paktën deri në muajin gusht, ndërsa ky veprim vjen pas ngjarjeve të disa ditëve më parë, ku me urdhër të SPAK u bënë kontrolle dhe sekuestrime, gjë e cila shkaktoi edhe tensione mes policisë dhe banorëve.

Për ngjarjen pati reagime nga opozita por edhe nga ambasada e SHBA, e cila tha se Amerika nuk ndërhyn në çështjet e policisë shqiptare ndërsa ngriti dyshime për organizatën MEK kohët e fundit.