Policia e Kosovës me njoftim zyrtar: Efektivët ishin duke patrulluar brenda territorit kur u rrëmbyen nga serbët

Pas lajmit për marrjen peng të policëve kosovarë në Serbi ka reaguar policia e Kosovës. Në njoftimin zyrtar thuhet se tre policët kufitarë ishin duke patrulluar kur u rrëmbyen në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Ky fshat gjendet në komunën e Leposaviçit.

Policia thekson se tre efektivët kanë qenë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, që sipas këtij institucioni shfrytëzohen nga grupet kriminale” për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Policia tha se 3 efektivët, kanë njoftuar se kanë parë disa persona të maskuar dhe të armatosur dhe drejt tyre janë nisur njësi të tjera të policisë.

“Me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vetë zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion. Në drejtim të këtij lokacioni menjëherë kanë shkuar edhe njësite tjera policore, si dhe janë informuar edhe institucionet tjera të sigurisë, përfshirë KFOR-in, pasi dyshohet se zyrtarët policorë janë kidnapuar nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.