Një aksident fatal është shënuar në orët e para të mëngjesit në Lushnjë, ku ka humbur jetën vëllai i zv.ministres së Mjedisit, 43-vjeçari Ernis Xhumari, banues në zonën e Karbunarës.
Para aksidentit, Xhumari ishte konstatuar pranë ambienteve të Komisariatit të Policisë së Lushnjës, ku dyshohet se kishte kryer manovra të rrezikshme me automjetin dhe kishte përdorur fjalë fyese.
Pas sinjalizimit, efektivët e policisë janë nisur për verifikimin e situatës. Burime për mediat bëjnë me dije se sapo ka vënë re praninë e uniformave blu, 43-vjeçari është larguar me shpejtësi të lartë në drejtim të Karbunarës.
Gjatë lëvizjes, në afërsi të rrethrrotullimit të njohur si “Plastmasi”, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin, duke u përplasur me bordurat anësore të rrugës, teksa automjeti është përmbysur. Si pasojë e dëmtimeve të marra, Ernis Xhumari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Raportohet se rreth dy muaj më parë ai ishte proceduar nga autoritetet dhe i ishte pezulluar leja e drejtimit, pasi ishte kapur duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.