Plani për vrasjen e Xhevdet Plakut, SPAK jep pretencën për Rexhep Rapin dhe ish shefin e krimeve Dedan Gjoni

SPAK ka dhënë pretencën për Rexhep Rapin i njohur dhe si Kep Arapi, nipin e tij Algert Rapin, ish-shefin e krimeve ne policinë e shtetit Dedan Gjoni si dhe ish policin e Durrësit Dejvi Gjermeni.

Ata akuzohen se kanë përgatitur planin për vrasjen e Xhevdet Plakut më 17 shtator 2019.

Por Rexhep Rapin, Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 7.6 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi është 5 vite heqje lirie, për nipin e tij, Algert Rapin nga 7.4 vite burg u kërkua denimi me 4.8 vite heqje lirie. E njëjta kërkese u lexua nga SPAK edhe për Dedan Gjonin, ish shefin e krimeve në komisariatin nr.6 dhe ish policin, Dejvi Gjermeni për të cilët po ashtu u kërkua dënimi me 4.8 vite burg me gjykim të shkurtuar.

Të katërt akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Sipas SPAK, porositës i planit për vrasjen e Xhevdet Plakut ishte Rexhep Rapi, i njohur ndryshe edhe si i forti i Sukthit. Ai fundit donte të hakmerrej për vrasjen e një të afërmi të tij, Sali Rapi, në vitin 2010 në Itali. Kjo vrasje u dyshua se u krye nga Xhevdet Plaku dhe një person tjetër, por Plaku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Savona-s më datë 04.04.2014.

Por, pavarësisht vendimit të kësaj gjykate, Rexhep Rapi ishte e vendosur të hakmerrej dhe kishte planifikuar edhe 3 herë atentat ndaj Plakut, një i dyshuar për trafik droge, që përdorte 25 identitete si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam.

Pasi i dështuan 3 herë atentatet, konkretisht dy herë në Durrës dhe një herë në Tiranë, Rexhep Rapi krijoi një grup që do ta ndihmonin për ta ‘hequr qafe’ përfundimisht Xhevdet Palkun. Por edhe plani i katërt për eliminimin dështoi pasi ish-polici Dejvi Gjermeni hoqi dorë nga vrasja në momentin e fundit.

Rexhep Arapi e ka dhënë urdhrin për ekzekutim nga Holanda. Në ndihmë i ka ardhur ish-shefi i krimeve Dedan Gjoni, i cili ka thirrur në komisariat objektivin Xhevdet Plaku më 17 shtator 2019. Në këtë moment Dedan Gjoni ka komunikuar me Dejvi Gjermenin, të cilit i ka treguar për orën kur do e lironte dhe i ka nisur një foto të tij. Informacionet ish-polici i Durrësit ia ka kaluar Algert Rapit, nipi i Rexhep Rapit dhe më pas janë organizuar për t’i zënë pritë objektivit. 

Por, vrasja nuk ndodhi pasi ish-polici Gjermeni ka pasur frikë, se informacioni i dërguar përmes “Ëhatsapp”, mund të zbulohej më vonë. Kështu, ai i ka thënë Algert dhe Rexhep Rapit të largohen sepse Xhevdet Plaku nuk ishte më në rajon pasi ishte liruar. Kjo ka bërë që të dy të largohen nga aty dhe plani të dështojë.