Policia e Durrësit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Shijak, ku u regjistruan të shtëna armësh drejt një dyqani që shiste pjesë këmbimi automjetesh, teksa mbeti i plagosur 36-vjeçari Enidor Dedja, edhe pse nuk ishte shënjestra e sulmit.
Blutë bëjnë më dije se në pranga ka rënë pronari i biznesit ku ndodhi ngjarja, Albano Domi ndërsa janë shpallur në kërkim Arbi Hoxha dhe Xhejms Palodhi.
Sipas policisë, nga hetimet rezultoi se për motive të dobëta, shtetasit Hoxha dhe Palodhi janë konfliktuar fizikisht me Domin, dhe më pas kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij.
Si pasojë e të shtënave është plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetën, Dedja, i cili ishte në dyqan kur ka ndodhur konflikti.
Po nga hetimet rezultoi se dhe pronari i dyqanit, Domi iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë, Hoxhës dhe Palodhit.
27-vjeçari Domi akuzohet për “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ndërsa Hoxha dhe Palodhi akuzohen për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”.