Vajza e gjetur e pajetë paraditen e sotme poshtë urës së “Dajlanit” në Durrës është identifikuar si Luljeta Preza, 32 vjeçe.
Fillimisht dyshohej se e reja ishte përdoruese e lëndëve narkotike dhe kishte vdekur nga mbidoza, por mjekët kanë konstatuar shenja dhune në trupin e saj, ndërsa ka plagë të rënda në gjoks dhe në bark.
Tashmë policia dyshon se vajza mund të jetë vrarë, teksa pritet të dalë ekspertiza mjeko-ligjore për të mësuar me çfarë është goditur e reja, që i ka shkaktuar edhe vdekjen.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me një informacion të dhënë paraditën e sotme, se rreth orës 10:35, në lagjen nr.13, Durrës, poshtë urës së Dajlanit, ishte gjetur pa shenja jete, një shtetase, ju informojmë se:
Nga verifikimet e kryera u bë i mundur identifikimi i kësaj shtetaseje, konkretisht u gjet e pajetë shtetasja L. P., 32 vjeçe, banuese në Sukth, Durrës.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera paraprakisht nga grupi i posaçëm i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nga ekspertët e mjekësisë ligjore, si dhe nga këqyrja e trupit të pajetë të 32-vjeçares, dyshohet se kjo shtetase ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve të marra në trup, nga një mjet prerës.
Deri më tani, në ambientet e Policisë së Durrësit, janë shoqëruar 17 shtetas të cilët dyshohet se kanë dijeni për këtë rast.
Grupi hetimor vijon hetimet e thelluara për të dokumentuar plotësisht rrethanat e këtij rasti, si dhe për të përcaktuar autorësinë e tij.