Pezullimi i Ballukut, prokurori i SPAK: Shfuqizimi i masave ndaluese do vinte në rrezik rendin kushtetues

Në Gjykatën Kushtetuese po mbahet seanca për Belinda Ballukun, ku po shqyrtohet ankimi i kryeministrit Edi Rama pas vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe njëherazi ministres së Infrastrukturës.

Prokurori i SPAK Dritan Prençi, ka dhënë argumentet e tij, duke sqaruar se pse në rastin e pezullimit të Belinda Ballukut nuk ka konflikt kompetencash, ashtu siç pretendon qeveria.

SPAK thotë se kërkesa e Kryeministrit nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve, pasi masat e sigurimit nuk krijojnë një konflikt të tillë.

Po ashtu, theksohet se kërkuesi nuk mund të përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj një ministri, pasi ndjekja penale është kompetencë ekskluzive e SPAK dhe GJKKO-së dhe nuk mund të cenohet nga pushteti ekzekutiv.

“Nuk mund të pretendohet për konflikt kompetencash. Për të pasur konflikt kompetencash midis pushteteve duhet të plotësohen tre kritere ligjore. Mosmarrëveshja lind midis organeve të pushteteve të ndryshëm, mosmarrëveshja lidhet me organet që vendosin vullnetin e pushtetit të tyre dhe Mosmarrëveshja ka të bëjë me përcaktimin e sferës së kompetencave. Në rastin konkret këto kushte nuk plotësohen.

SPAK vlerëson se kërkesa e kryeministrit për shfuqizimin e vendimeve të GJKKO për masën e sigurimit personal apo për interpretim të nenit 103 pika 3 nuk lidhen me kontrollin kushtetues mbi ligje, nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve.

Vlerësojmë se kërkuesi nuk mund të përdor këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj ministrit, pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masës së pezullimit janë kompetenca të SPAK dhe GJKKO dhe nuk mund të cënohen nga ndërhyrja e pushtetit ekzekutiv”, tha prokurori Dritan Prençi.

Sipas prokurorit, shfuqizimi i masave ndaluese ndaj zv.kryeministres do vinte në rrezik rendin kushtetues, pasi Balluku është tashmë e pandehur.

“Në rastin konkret, kërkuesi nuk është subjekt i masës së sigurimit dhe për rrjedhojë kërkesa për shquzimin bie ndesh me konceptimin kushtetues të masave të sigurimit. Në vlerësimit tonë, GJK nuk duhet të vlerësojë si supergjykatë e saj pasi çdo ndërhyrje e saj do të cenonte kufijtë kushtetues dhe parimin e ndarjes së pushtetit. Bazuar në këtë vlerësim, kërkohet që çdo vendim për pezullim të respektojë parimin e ligjshmërisë. Në rastin konkret, gjykata ka vlersëuar natyrën e detyrës, dhe parandalimin e rreziqeve. SPAK vlerëson se masa e pezullimit është e ligjshme, e kufizuar pa cenuar mandatin si deputet. Duke respektuar parimet themelore, SPAK vlerëson se në këtë rast vetë rendi kushtetues do të vihej në rrezik nga një shfuqizimin i mundshëm i masave ndaluese pasi personi në fjalë është marrë e pandehur. “, u shpreh ai.