Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 7 punonjës të sigurisë fizike dhe drejtuesin e njërit prej departamenteve të kompanisë ONE në Tiranë.
Të proceduarit janë Erald Sina,Gentian Koçi, Arsil Feshti, Alfred Zylalaj, Gezim Sala, Koço Veneti dhe Ismet Tartari.
Sipas hetimeve, këta persona akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Konkretisht bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në datën 25 dhjetor të vitit 2024 ku persona të maskuar kanë hyrë në ambientet e kompanisë ONE, duke dëmtuar drynin e derës së pasme.
Një ditë më parë ky rast u bë publik në media, ndërsa ngrihej dyshimi se janë hequr dhe dëmtuar serverat.
Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur pikërisht në kulmin e zhvillimeve që vinin nga SPAK ku në kushtet kur kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i vëllai i tij Arbër Veliaj dhe vetë kompania “One” po hetohen për afera të pista.
Kjo ngjarje e dëmtimit apo heqjes së serverëve, në vetvete dhe mos reagimi i institucioneve e mosbërja publike e faktit prej tre muajsh ngre dyshimin që vërtet po tentohet t’i fshihet diçka SPAK-ut.
Njoftimi i policisë:
Nuk raportuan një ngjarje të ndodhur në muajin dhjetor 2024, procedohen penalisht 7 punonjës të sigurisë fizike dhe drejtuesi i njërit prej departamenteve të një kompanie telefonike, në Tiranë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, pas marrjes së informacionit për një ngjarje të ndodhur dhe të paraportuar, kanë kryer veprime verifikuese dhe hetimore, të cilat çuan në konstatimin e kësaj ngjarjeje, e ndodhur më datë 25.12.2024, në ambientet e një kompanie telefonike, në zonën e Laprakës.
Nga hetimet paraprake rezultoi se rreth orës 02:30 të datës 25 dhjetor, dy shtetas të maskuar kanë hyrë në ambientet e kësaj kompanie, duke dëmtuar drynin e derës së pasme.
Ngjarja është konstatuar nga punonjësi i sigurisë së brendshme i kësaj kompanie, shtetasi G. K, i cili, në deklarimin e tij, ka pohuar se nuk janë marrë sende dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Punonjësi në fjalë nuk ka njoftuar organet ligjzbatuese, por dyshohet se ka njoftuar vetëm drejtuesin teknik dhe punonjësit e grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë. Po ashtu, është konstatuar se edhe përfaqësues të kompanisë telefonike kanë qenë në dijeni të ngjarjes, por nuk e kanë kallëzuar atë në organet kompetente.
Në përfundim të veprimeve procedurale, Komisariati i Policisë Nr. 3 referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për veprat “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj:
• 2 punonjësve të sigurisë së brendshme të kompanisë, shtetasve G. K., 50 vjeç dhe A. F., 31 vjeç, si dhe drejtuesit të departamentit të zyrave dhe pasurisë të kësaj kompanie telefonike, shtetasit E. S., 38 vjeç.
Po ashtu nisi procedimi penal për veprën “Moskallëzimi i krimit” ndaj:
• drejtuesit teknik dhe 4 punonjësve të grupit të shoqërisë private të sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë, shtetasve A. Z., 54 vjeç, G. S., 40 vjeç, K. V., 63 vjeç, M. D., 55 vjeç; dhe I. T., 62 vjeç.
Hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse janë përmbushur detyrimet ligjore dhe kontraktuale nga shoqëria private e sigurisë fizike që kishte në ruajtje ambientet e kompanisë.
Veprimet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.