Kryetarja e komanduar në Bashkinë e Tiranës, Anuela Ristani ka firmosur shkarkimin e dy prej njerëzve më të besuar të Erion Veliajt.
Ristani, e emëruar në krye të Bashkisë Tiranë në prani të kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të Veliajt, ka shkarkuar nga detyra nënkryetaren, Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi. Në vend të këtij të fundit është emëruar Jonida Halili.
Këto dy shkarkime vijnë pas përplasjeve që ndodhën në Bashki ku Veliaj ia delegoi detyrën e tij Sara Goxhajt, duke shkarkuar Ristanin, e cila ishte zgjedhur për të drejtuar Bashkinë fill pas arrestimit të kryebashkiakut me urdhër të SPAK.
Ky vendim i Veliaj “tërboi” kryeministrin Edi Rama, i cili shkoi në Bashki dhe kërkoi që Anuela Ristani të rikthehej në postin që ai vetë e kishte vendosur, si kryetare e komanduar e Bashkisë.
Në burg që prej datës 10 shkurt, Veliaj më pas u tërhoq nga kjo përplasje me Ramës dhe bëri një reagim pasditen e 20 marsit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ai u justifikua se kishte firmosur ridelegimin për Sara Goxhajn me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, pasi nuk kishte informacionin e mjaftueshëm aty ku ndodhet.