Përplasja mes njerëzve të Agron Kapllanajt dhe agjentëve të BKH-së, 3 të arrestuar në Fier

Tre persona janë arrestuar në lidhje me incidentin që u regjistrua mbrëmë në Fier, ku agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u dhunuan nga njerëzit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës.

Në pranga kanë rënë Ledjan Kapllanaj, Klaudio  Kapllanaj dhe Gerald  Kollçaku. Ndërkohë vijojnë veprimet hetimore edhe për personat e tjerë e përfshirë në ngjarje.

Motivet e përplasjes mbetën ende të paqarta. Kapllanaj në një reagim mbrëmjen e djeshme tha se në parkimin e zyrave të subjektit politik që ai përfaqëson ka shkuar një mjet pa logo dhe prej andej ka ngritur një dron.

Ky veprim sipas tij është kryer dhe në një kohë të dytë dhe ka ngjallur dyshime të zyrtarëve që ishin brenda godinës. Pas debatit agjentët janë larguar me automjetin e tyre dhe janë ndjekur nga disa zyrtarë të subjektit politik dhe dy të afërm të Agron Kapllanajt. Ky i fundit ka sqaruar më tej se pak minuta më vonë në rrugë ka nisur një përplasje e dytë mes agjentëve të BKH dhe njerëzve të tij.

“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier – Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.-thuhet në reagimin e Policisë së Fierit”, thuhej dje në njoftimin e policisë.