Përplasi tre të miturit që ecnin me monopatina, arrestohet shoferi! 41-vjeçari kaloi me semafor portokalli

Policia ka vënë në pranga shoferin e automjetit që dje aksidentoi 3 të miturit që lëviznin me monopatinë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në pranga përfundoi  41-vjeçari Ekerem Skureni. Ai akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas ekspertizës në vendngjarje ka rezultuar se të miturit, të ndarë në 2 monopatina kanë kaluar rrugën me semafor të kuq, ndërsa shoferi i makinës me semafor portokalli.

Ndërkohë tre të miturit ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Dy prej të plagosurve, 9 dhe 11 vjeç, mësohet se janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore në spitalin e Traumës me dëmtime në krah dhe në këmbë. I treti, një 11-vjeçar është në gjendje të rëndë, pasi ka marrë dëmtime në kokë.