Përplasën për vdekje 7 vjeçarin në Tiranë, lirohen dy shoferët

Janë liruar nga qelia, Tomor Shukulli dhe Valentina Koltraku, dy shoferët e arrestuar për aksidentin ku humbi jetën një 7 vjeçar në Tiranë.

Ata kanë deklaruar në gjykatë se ngjarja ka qenë aksidentale. Shukulli ka deklaruar se ndaloi, për t’i dhënë të miturit disa para dhe nuk e kishte kuptuar që 7 vjeçarit i ranë në tokë për shkak të lartësisë së fuoristradës që ai drejtonte.

Ndërsa, Valentina Koltraku deklaroi se ndodhej pas fuoristradës së Shukullit dhe se nuk kishte fushë pamje. 

Ngjarja e rëndë ndodhi në 24 shkurt në rrugën “Kastriotët” në kryeqytet.

7 vjeçari u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë. Të dy shoferët u larguan nga vendngjarja, por u kapën më vonë nga policia.