Përfundon numërimi i votave, Albert Halilaj i PS fiton Bashkinë e Kukësit

Albert Halilaj i Partisë Socialiste ka fituar zgjedhjet e përsëritura në Bashkinë e Kukësit.

Halilaj arriti të merrte 13025 vota, më shumë se 5000 vota diferencë nga Emri Vata, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, që siguroi 7431 vota.

Zgjedhjet në Kukës u përsëritën pas dorëheqjes së Safet Gjicit, i cili la mandatin pas skandalit seksual të publikuar në media. Pavarësisht këtij skandali, qytetarët kuksianë nuk ndryshuan qëndrim, por votuan sërish kandidatin e Partisë Socialiste.

Fitorja e Halilajt është edhe më e thellë se ajo e Gjicit në 14 Maj, pasi ky i fundit fitoi me rreth 2000 vota diferencë.

Pas fitores, ka folur për mediat edhe vetë Halilaj, i cili ka falenderuat kuksianët që e votuan, teksa thotë se do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Kukësit.

“Falenderoj të gjithë qytetarët e Kukësit për besimin që më kanë dhënë, për këtë përgjegjësi të madhe. U premtoj se do të jem i thjeshtë dhe do u vij në ndihmë të gjithë qytetarëve, lidhur me infrastrukturën, papunësinë, zhvillimin ekonomik, dhe promovimin e turizmit.

E njoh shumë mirë administratën, jam pranë çdo halli të qytetarëve. Për kundërshtarin tim kam vetëm një koment pozitiv, është e vetmja fushatë në Kukës që gjatë 30 viteve që nuk ka pas  asnjë incident. Qytetarët e Kukësit treguan vlera e mirësjellje. Ju kam premtuar qytetarëve, për uljen e papunësisë, turizmin dhe zhvillimin ekonomik. Politika duhet të kthejë sytë nga hallet e qytetarëve, nga njerëzit në nevojë. Falenderoj Ramën që më ka dhënë garancinë se do të jetë prezentë së bashku me qeverinë në katër vitet në vazhdim në Kukës”, tha Halilaj.