Partia Demokratike do të mbledhë Kryesinë të hënën në orën 18:00. Pas marrjes së vulës nga grupi i Rithemelimit, pritet që PD e cila tashmë ka në krye Sali Berishën të diskutohet për aksionin opozitar dhe për organizimin e partisë për zgjedhjet e 2025.
Mësohet se një prej datave që pritet të propozohet për protestën kombëtare është 13 korriku, por nuk përjashtohet mundësia që tubimi të jetë edhe më afër në kohë.
Kryesia do të diskutojë dhe për drejtuesit e rinj të qarqeve, ku këtë herë pritet të ketë risi, pasi nuk do të ketë nga një drejtues por dy për çdo qark të cilët do të jenë përgjegjës për organizimin.
Pas marrjes së vulës Eithemelimi e ka bërë të qartë qëndrimin për deputetët që kanë mbështetur Bashën, duke u kërkuar atyre që të bashkohen me shumicën, ndërkohë që as Berisha dhe as Gazment Bardhi nuk pranojnë rikthimin e Bashës, të cilin e kanë cilësuar si tradhtar.
Pak ditë më parë edhe deputeti Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen nga grupi i PD.