PD mbështeti amnistinë penale, Ulsi Manjës i del parashikimi

Edhe pse kërkon 84 vota, ligji për amnistinë penale pritet të marrë të gjitha votat e deputetëve. Të paktën kështu shpreson ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili reagoi në rrjete sociale, pak pasi opozita tha se mbështeste amnistinë por duke vendosur 3 kushte.

Manja ka vlerësuar vendimin e opozitës, që sipas tij mbështet variantin e qeverisë për amnistinë penale, ku nuk përfitojnë subjektet e SPAK dhe GJKKO. Madje ai mes rreshtash shkruan se më herët kishte deklaruar se amnistia do të merrte votat e të gjithë deputetëve.

Teksa dy palët tashmë kanë rënë dakort, pritet që amnistia penale të votohet në seancën e nesërme.

“Përshëndes vendimin e opozitës për të miratuar më në fund Amnistinë Penale, e cila u vonua si asnjëherë tjetër nga agjenda politike të turbullta që e morën peng këtë akt kushtetues mëshire të shtetit, duke dëmtuar afro 700 përfituesit e kësaj amnistie.

Me kënaqësi të veçantë konstatova se opozita mbështeti variantin e amnistisë së propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, ku as nuk bëhej fjalë për amnistimin e subjekteve të SPAK-ut e të Gjykatës Speciale.

Së fundmi, nuk e fsheh dot kënaqësinë që siç e pata deklaruar publikisht për mediat përpara Kuvendit – kur turbullia e një pjese të parlamentit e bënte aministinë të dukej e pashpresë – Aministia Penale do të marrë të gjitha votat e deputetëve!

Nuk thotë kot populli, i duruari i fituari dhe le të shërbejë ky zhvillim pozitiv edhe për ata që s’kanë pse ikin më nga tavolina e punës, për të marrë rrugë të shkurtra që s’çojnë askund dhe si përfundim për t’i dalë gjatë rikthimit në tavolinë”, deklaroi Manja.