PD drejt 3 forcave politike, balancat brenda opozitës

Partia Demokratike ishte forca e fundit në ish lindjen komuniste që i kishte rezistuar tranzicionit nga partitë e para që rrëzuan komunizmin. Tani PD iu bashkua simotrave që nuk ekzistojnë më.

Për herë të tretë në opozitë, PD është duke u ndarë në tri forca të ndryshme politike.

Forca e parë do të jetë grupimi i Sali Berishës që duket se ka shumicën dërmuese të anëtarëve por edhe të elektoratit të djathtë. Zgjedhjet lokale të 14 Majit vërtetuan se 500 mijë votat politike të koalicionit “Bashkë Fitojmë” e kthejnë Sali Berishën në opozitën reale të vendit.

Partia Demokratike zyrtare duket se do të ketë një carje tjetër në dysh, ndoshta edhe në tresh. Brenda saj ka disa rryma, pa asnjë lidhje me parime, të cilat nisën hapur përplasjen, deri në konflikt fizik.

Kryesia e PD zyrtare u nda dje përfundimisht në dysh. Anëtarët deputetë me anëtarët e emëruar të kryesisë mendojnë ndryshe për zgjedhjet e brendshme që në thelb ka të bëjë nëse duhet të rikthehet ish kryetari Lulzim Basha.

Shumica e Grupit Parlamentar të udhëhequr nga Gazment Bardhi nuk e kërkon Bashën më në krye të PD, të mbështetur edhe nga ndërkombëtarët që kërkojnë një tjetër drejtues në PD-në zyrtare. Bardhi nuk është vetëm dhe ka rreth vetes rreth 10 deputetë. Por mesa duket, Basha ka vendosur të mbajë vulën e PD pavarësisht përplasjes apo kostos.

Në këto kushte, PD do të ndahet në 3 forca të ndryshme politike. Berisha me parti, grup parlamentar dhe logo të re, Gazmend Bardhi me një pjesë të deputetëve si dhe Basha me vulën e tjetër.

Me mjaft interes do shihet se si do konturohen këto 3 pole të ish Partisë Demokratike e në vecanti rreth 50 deputetët e saj. Rreth 20 deputetë janë në mëdyshje dhe do duhet të zgjedhin. Disa të tjerë kanë vendosur të mos rikandidojnë më.

Por duket se Berisha do të arrijë të mbajë shumicën e deputetëve pas perplasjes ne PD-ne zyrtare, ndersa Gazment Bardhi dhe Basha do të kenë respektivisht nga një grup parlamentar që kërkon minimalisht 7 deputetë.