Shqipëria po “zbrazet” nga të rinjtë por Rama ka bindjen se do të kthehen: “Nuk e pinë dot kafen askund si këtu”

Reklamat me “oferta” në rrjetet sociale për të ikur me gomone drejt Anglisë, reagimet e mediave dhe ministrave britanikë, shifrat e azilkërkuesve shqiptarë por edhe statistikat zyrtare nga INSTAT, duket se nuk e bindin kryeministrin Edi Rama se fenomeni i emigrimit po ndodh në mënyrë masive.

Përkundrazi, ai ka bindjen se shumë prej tyre kthehen, sepse siç e ka thënë shpesh kohët e fundit ata nuk gjejnë jashtë atë që imagjinojnë. Megjithatë ai ,u shpreh sot në një podcast me disa të rinj, se numri i atyre që kthehen është më i ulët se i shqiptarëve që largohen nga vendi i tyre.

Rama tha se rikthimi i të rinjve është i sigurt dhe ata janë të bindur për këtë vendim, pasi askund tjetër s’e pi kafen si në Shqipëri. Kryeministri bëri shaka dhe tha se kur ikën jashtë ke nevojë edhe për mungesën rigoroze të rregullave të qarkullimit rrugor, që ekziston këtu.

‘Sigurisht, janë shqiptarët që ende duan të largohen, të provojnë eksperienca të reja, por është e kuptueshme, është shumë e kuptueshme. Ky është një moment në histori, kur ka një mundësi që ne nuk e patëm për shumë vjet, por, në të njëjtën kohë, po dëgjoja Uardën dhe dëgjoj me kujdes njerëzit që kthehen. Më kujtohet edhe vetja, se edhe unë kam qenë emigrant dhe, e di, vjen një moment kur ke nevojë për këtë, ke nevojë për këtë atmosferë, ke nevojë për këtë ngrohtësi, madje edhe për mungesën e rregullave rigoroze të qarkullimit rrugor dhe ke nevojë edhe për ekspresin. Ku mund ta pish një ekspres në Berlin, më thuaj? Ku mund ta pish një kafe në Berlin, që të thuash “uau””, ka thënë ai.

Por ndonëse kryeministri thotë se janë të shumtë të rinjtë që rikthehen në vendin e tyre, edhe shifrat zyrtare të qeverisë tregojnë se emigrimi ka ardhur në rritje vit pas viti që prej 2014-s.

“Shqipëria të kthehet në varësi. Kam parë shumë njerëz, për shembull, të huaj me të cilët kam lidhje për hir të punës, ambasadorë, të cilët, ndoshta, kur kanë ardhur, nuk kanë qenë entuziastë, për ta thënë butë, por nuk kam parë asnjë të lumturohet kur largohet nga vendi”, shtoi Rama.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Eurostat, midis 2013-2021, janë 420 mijë shqiptarë që kanë përfituar të drejtë të rregullt pune në vende e e BE. Këtu nuk llogariten shifrat e azilkërkuesve, emigracioni i paligjshëm, emigrimi në Britaninë e Madhe, Zvicër, Norvegji apo në vende të tjera si SHBA dhe Kanada.

Numri i të rinjve që po ikën e ka kthyer në një sfidë gjetjen e fuqisë punëtore në vemd. Bizneset, pa përjashtim në të gjithë sektorët, e konsideruan mungesën e punëtorëve për shkak të emigracionit sfidën më të madhe të aktivitetit më 2022.

Lexo edhe: Shifrat e çmendura të emigracionit të shqiptarëve sipas EUROSTAT