Shifrat e çmendura të emigracionit të shqiptarëve sipas EUROSTAT

Largimi i shqiptarëve nga vendi është kthyer shpesh në kryelajm në mjaft vende europiane. Për disa vite rresht, shqiptarët mbanin vendin e parë për azilkërkues ndërsa në 2022, shqiptarët ishin të parët në numër për kalimin me gomone kanalin e Lamanshit drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Por përtej këtyre lajmeve, qeveria shqiptare e ka mohuar shpërnguljen masive të shqiptarëve. Gjatë fushatës së fundit elektorale, kryeministri Edi Rama deklaronte se nuk janë larguar më shumë se 350 mijë shqiptarë gjatë 9 viteve qeverisjes së tij.

Instituti i Statikave INSTAT ka publikuar gjithnjë shifra të cilat nuk ngjallin besim. Gjithsesi, shifrat e INSTAT japin më shumë largime se pretendimet e kryeministrit.

Konkretisht, sipas INSTAT, gjatë vitit të kaluar, 46,460 shqiptarë janë larguar si emigrantë. Shifra është më e lartë se 2021 kur rezultojnë 42 mijë shqiptarë të larguar. Për më tej, shifrat zyrtare të qeverisë tregojnë se emigrimi ka ardhur në rritje vit pas viti që prej 2014-s.

Këto shifra të INSTAT vijnë në një kohë që censusi i programuar për vitin 2021 nuk ndodhi. Sipas organizmave të ndryshme ndërkombëtare, besohet se numri aktual i shqiptarëve rezidentë të mos kalojnë më shumë se 2.3 milionë, nga 2.8 që ishin në 2011.

Lindjet kanë rënë dhe mosha mesatare e shqiptarë ka kaluar 38 vjeç, ç’ka ngre alarm të madh për të ardhmen. Banka Botërore raporton në një studim se në vitin 2035, numri i maturantëve do të jetë rreth 6 mijë, ose sa 4 herë më e vogël nga sa eshte sot, ç’ka është një këmbanë alarmi.

Instituti Europian i Statistikave jep disa shifra për të cilat mund të vihen duart në kokë. Sipas të dhënave të Eurostat, midis 2013-2021, janë 420 mijë shqiptarë që kanë përfituar të drejtë të rregullt pune në vende e e BE. Këtu nuk llogariten shifrat e azilkërkuesve, emigracioni i paligjshëm, emigrimi në Britaninë e Madhe, Zvicër, Norvegji apo në vende të tjera si SHBA dhe Kanada. Nëse mblidhen të gjitha bashkë, atëhere shifra e emigrimit është e frikshme.

Eurostat jep edhe një shifër tjetër interesante. Deri në vitin 2019, janë 865 000 shqiptarë me qendrim të rregullt e ligjor jetojnë në vendet e BE. Nëse shton shifrat e vitit 2020, 2021 dhe 2021, atëherë kjo shifër i kalon 950 mijë shqiptarë. Këtu nuk llogariten shqiptarët që kanë lënë shtetësinë apo emigratët e paligjshëm.

Në shtator, qeveria shqiptare do nisë organizmin e censusit që mendohet se do përfundojë vitin e ardhshëm. Disa ekspertë besojnë se shifra e shqiptarëve rezidentë nuk i kalon 2 milionë banorë. Nëse këto shifra doi jenë të vërteta, atëherë dekada e ardhshme do të jetë një sfidë e madhe sociale dhe ekonomike për shqiptarët. Ekonomia shqiptare do përballet me një krizë strukturore që do ndikojë në mirëqënien e shqiptarëve.