Krim i rëndë në Itali! Vriten me thikë çifti i bashkëshortëve dhe vajza e  tyre, plagoset djali i madh

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Romën, ku një çift bashkëshortësh me origjinë nga Bangladeshi dhe vajza e tyre 6-vjeçare u vranë me thikë brenda banesës së tyre në rrugën Via Montiglio, në lagjen Aurelio. Tragjedia ndodhi mbrëmjen e së premtes, më 26 qershor, ndërsa alarmi u dha rreth orës 20:30.

Viktimat janë identifikuar si Kamal Uddin, 39 vjeç, bashkëshortja e tij Arzu, 38 vjeçe, dhe vajza e tyre Alicia, vetëm 6 vjeç.

I vetmi i mbijetuar është djali i madh i familjes, Onion, 18 vjeç, i cili mbeti i plagosur dhe u transportua në Spitalin Poliklinik Gemelli. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve me plagë të shumta dhe traumë fizike, por sipas autoriteteve nuk është në rrezik për jetën. I riu është marrë tashmë në pyetje nga hetuesit e Policisë së Romës, të cilët po hetojnë rrethanat e krimit.

Alarmin e dhanë fqinjët

Sipas informacioneve paraprake, fqinjët dëgjuan britma që vinin nga apartamenti ku jetonte familja dhe njoftuan menjëherë policinë. Disa prej tyre kanë deklaruar se panë një person të largohej me shpejtësi nga ndërtesa menjëherë pas ngjarjes.

Një nga pistat kryesore të hetimit është se autori mund të ketë qenë një person i njohur për viktimat, ndoshta një mik i familjes.

Dëshmia tronditëse e djalit të mbijetuar

Sipas gazetës italiane Il Messaggero, 18-vjeçari ka rrëfyer momentet e para pas kthimit në banesë:

“Ma vrau të gjithë familjen. Kur u ktheva në shtëpi e pashë duke pastruar gjakun. Kishte gjak kudo. I kishte vrarë të gjithë.”

Hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë vijojnë.