Në sesionin e hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit, nuk mund të mungonte edhe fjala e kryeministrit Edi Rama.
Në fjalën e tij, ai siguroi qytetarët se bashkë me Partinë Socialiste janë më të vendosur se kurrë për të mbështetur vazhdimësinë e drejtësisë së re.
“Pra, unë jam besimplotë që ky proces do të shkojë përpara siç duhet, me të gjitha dhimbjet dhe me të gjitha kostot e veta. Së bashku jam i vendosur se asnjëherë, së bashku me shumicën qeverisëse, të mos lejojmë të cenohet ajo çka është projektuar dhe të mos lejojmë të rrënohet ajo çka është ndërtuar, në paketën e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie”, tha Rama ndër të tjera.
Kjo deklarata e tij vjen pak kohë pasi partia që ai drejton votoi në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke penguar drejtësinë të veprojë ndaj ish-zyrtares që akuzohet për abuzime me qindra miliona euro.
83 votat kundër SPAK ishin një këmbanë alarmi edhe për Bashkimin Europian, që nëpërmjet raporteve të institucioneve të tij ka treguar se anëtarësimi i Shqipërisë është i pamundur për sa kohë drejtësia nuk lihet të veprojë.