Bordi i Transparencës ul çmimin e naftës me 10 lekë për litër

Bordi i Transparencës ka vendosur uljen e çmimit të naftës me 10 lekë për litër.

Në mbledhjen e datës 7 maj 2026, Bordi vendosi që çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 196 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 184 lekë/litër.

Po ashtu, çmimi i shitjes me pakicë për benzinën e standardit SSH EN do të jetë jo më shumë se 180 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 168 lekë/litër.

Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 7 maj, në orën 12:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e radhës në treg.

“Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.

SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar se, në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin është më i lartë se 220 lekë/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lekë/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan të shitjes me pakicë, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%”, thuhet në njoftimin e Bordit.