Izraeli ka kryer të mërkurën një sulm ajror në Bejrut, për herë të parë që prej arritjes së armëpushimit me Hezbollahun muajin e kaluar. Sipas autoriteteve izraelite, objektivi i sulmit ishte një komandant i forcës elitare “Radwan” të Hezbollahut në periferinë jugore të kryeqytetit libanez.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e konfirmuan operacionin përmes një deklarate të përbashkët. Mediat izraelite raportuan se komandanti i Hezbollahut ishte vrarë gjatë sulmit, megjithatë deri tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga ushtria izraelite apo vetë Hezbollahut.
Armëpushimi në Liban konsiderohej pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Irani, ku ndalimi i sulmeve izraelite në territorin libanez ishte një nga kërkesat kryesore të Teheranit.
Megjithatë, tensionet në rajon mbeten të larta. Ndërsa SHBA-ja dhe Irani kanë deklaruar se po afrohen drejt një marrëveshjeje për ndalimin e konfliktit mes tyre, sulmet e fundit rrezikojnë seriozisht armëpushimin që ndaloi bombardimet izraelite mbi Bejrut.
Izraeli ka vazhduar të mbajë trupa në zonat jugore të lumit Litani, ndërsa sulmet në jug të Libanit kanë vijuar. Nga ana tjetër, Hezbollah ka reaguar duke lëshuar raketa dhe dronë të armatosur drejt forcave izraelite.
Më herët gjatë ditës, ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të disa fshatrave në veri të lumit Litani të evakuohen, çka mund të sinjalizojë zgjerim të operacioneve ushtarake izraelite në Libanin jugor.
Ndërkohë, bisedimet mes Libanit dhe Izraelit kanë vazhduar kryesisht në nivel ambasadorësh. Kryeministri libanez, Nawaf Salam, deklaroi se është ende herët për të folur për takime të nivelit të lartë mes dy vendeve.
Sipas tij, forcimi i armëpushimit duhet të jetë baza për çdo negociatë të re mes përfaqësuesve të Libanit dhe Izraelit në Uashington. Muajin e kaluar, SHBA-ja organizoi dy takime mes ambasadorëve izraelitë dhe libanezë, kontakte të cilat Hezbollah i kundërshton ashpër.
Presidenti amerikan Donald Trump, teksa njoftoi zgjatjen me tre javë të armëpushimit më 23 prill, deklaroi se shpreson të presë së shpejti në takim Benjamin Netanyahun dhe presidentin libanez Joseph Aoun, duke shtuar se ekziston “një mundësi e madhe” për arritjen e një marrëveshjeje paqeje gjatë këtij viti.
Nga ana tjetër, kryeministri Salam theksoi se Libani nuk po kërkon “normalizim me Izraelin, por arritjen e paqes”. Ai shtoi se kërkesa minimale e Bejrutit mbetet përcaktimi i një kalendari për tërheqjen e trupave izraelite nga territori libanez.