Afrim Tafa është shkarkuar këtë të mërkurë nga detyra e drejtort të Policisë së Durrësit.
Shkarkimi vjen pak ditë pas aksidentit tragjik në Durrës, ku 57-vjeçari Nikoll Radaçi përplasi për vdekje dy fëmijë të mitur, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur.
Burime për mediat bëjnë me dije se Tafa është emëruar si shef sektori pranë Interpolit, detyrë që e ka mbajtur edhe më herët para se të merrte drejtimin e policisë në qarkun e Durrësit.
Kujtojmë se një ditë pas ngjarjes, Tafa u pezullua nga detyra së bashku me dy zyrtarë të tjerë të Policisë së Durrësit.
Drejtuesi i automjetit që u mori jetën 2 të miturve, Nikoll Radaçi, po e drejtonte makinën nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, ndërsa banorët e kishin denoncuar disa herë në polici për rrezikun që u kanosej nga sjellja e tij në rrugë.
Ndërkohë një numër i lartë qytetarësh protestuan sot në Durrës, duke kërkuar më shumë siguri dhe kontrolle nga ana e Policisë në rrugët e qytetit, për të shmangur tragjedi të tilla.