Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i është bashkuar protestës kombëtare të opozitës në bulevardin para Kryeministrisë.
Ai është prezantuar në protestë së bashku me mbështetësit e tij, ndërsa foli edhe “përplasjet” që ka pasur me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Për mediat, Salianji tha se askush nuk e përjashton nga PD, teksa e vuri theksin edhe te skandalet e qeverisë, si ajo e AKSHI-t dhe Ballukut, që sipas tij bëhen për interesa personale të kryeministrit, Edi Rama.
“Mesazhi është për të gjithë qytetarët për të protestuar dhe larguar qeverinë. Mua nuk më përjashton dot asnjë njeri, sot është radha për të përjashtur Edi Ramën.
Kemi ardhur me mbështetësit e PD-së, unë jam në PD , do jem në PD. Jam drejtues i një lëvizje shumë të rëndësishme për PD-në. Partia ka ndryshuar pas kësaj lëvizje.
Unë po punoj në PD, por ka një qëndrim të qartë se PD dhe opozita duhet të jetë më e fortë për të mos qëndruar në këmbë qeveria.
Sot ta kemi fokusin këtu. Kam zgjedhur të takoj njerëzit këtu sepse nuk jam organizator, jam këtu si demokrat”, tha Salianji.