Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, pas skandalit në dikasterin që ajo drejton.
“Korrupsioni sistematik në Ministrinë e Shëndetësisë nuk mund të kalojë në heshtje dhe nuk mund të kalojë pa përgjegjësi politike. Arrestimi në flagrancë i zyrtares më të lartë publike të Ministrisë së Shëndetësisë provon sesa i përhapur është korrupsioni në qeverinë e Edi Ramës.
3 vite më parë, në kulmin e pandemisë, PD provoi me dokumenta zyrtarë se Ministria e Shëndetësisë i përdori tenderat sekretë për të vjedhur qytetarët. Pajisjet dhe medikamentet antiCovid u blenë 3-5 herë më shtrenjtë, por Ministrja e Shëndetësisë refuzoi të mbajë përgjegjësi politike. Po ashtu, SPAK-u nuk i shërbeu interesit publik me hetimin gjysmak.
Heshtja prej 24 orësh e Ministres së Shëndetësisë dhe mosdistancimi i saj prej veprimeve korruptive të bashkëpunëtorëve të saj më të afërt, dëshmojnë se korrupsioni i Sekretares së Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ogerta Manastirliu në Ministrinë e Shëndetësisë është pjesë dhe i shërben një sistemi të kalbur nga korrupsioni.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, duke mbështetur dhe inkurajuar drejtësinë të zbardhë të plotë skemën korruptive me tendarat në shëndetësi, kërkojmë dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu, si përgjegjësja kryesore politike e korrupsionit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe për ti hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithëanshëm”- thuhet në deklaratën e grupit parlamentar të PD-së.