Pas “Andrushit” , Flori Kasaj shkrimtari më i ri në moshë i letërsisë shqipe për fëmijë

Në 7 mars të vitit 2022, doli nga shtypi libri “Andrushi”, i cili u bë pjesë e bibliotekës së letërsisë për fëmijë. Përgjatë kësaj periudhe është përqafuar nga lexuesit e vegjël dhe është mirëpritur me dashamirësi nga të gjithë. Po në këtë vit ky libër ka marrë vlerësime duke u zgjedhur si pjesë e “12 libra të sugjeruar për lexuesit e vegjël, Verë 2022” si dhe pjesë e setit “Autorë shqiptarë për fëmijë 2022”, në dhjetor 2022. Në mars të vitit 2023 ka qenë pjesë e konkursit “Libri më i mirë për fëmijë 2022”, si dhe tashmë pjesë e konkursit “Çmimet Kombëtare të Letërsisë, 2022”, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), pranë Ministrisë së Kulturës.  Të shumtë kanë qenë vlerësuesit e botës së librit, së fundmi ka shprehur vlerësim edhe shkrimtarja e mirënjohur e letërsisë për fëmijë zonja Adelina Mamaqi, duke e afirmuar prezencën e këtij shkrimtari jo vetëm të ri si pjesë e kësaj gjinie letrare, por edhe shkrimtari më i ri në moshë duke ecur në gjurmën e traditës së shkrimtarëve më të mirë që kanë hedhur themelet e kësaj letërsie.

Disa konsiderata për librin “Andrushi” nga Adelina Mamaqi

Flori Kasaj, është shkrimtari më i ri i letërsisë sonë për fëmijë e cila ka shumë nevojë për firma të reja e të suksesshme si në rastin konkret. Flori Kasaj u ka dhuruar lexuesve të vegjël një libër me vlera artistike, zbavitëse, edukative dhe në përputhje me perceptimin dhe psikologjinë e moshës së cilës i adresohet. Personazhet e kësaj përralle të këndshme janë dy ketrushat, Andrushi dhe mikesha e tij Andrina. Të dy janë plazmuar kaq mirë, sa duken si dy fëmijë. Ata luajnë, argëtohen, komunikojnë me dashamirësi dhe kujdes me njëri-tjetrin, një shembull i gjetur që ndikon drejtpërdrejtë në edukimin e marrëdhënieve të mira të fëmijëve, nëpërmjet lojërave të këndshme e zbavitëse, me gëzimin, pafajësinë, shkathtësinë dhe komplicitetin që krijojnë edhe ata mes tyre.

Përralla është e shkruar me fjali të shkurtra, me gjuhë të thjeshtë e të pastër, e cila edukon shprehitë e të folurit dhe e pasuron fjalorin e tyre. Ajo përcjell ndjenja humane; fisnikëri, edukatë dhe moral, por natyrshëm, pa rënë në moralizim banal. Dhe kjo do të thotë shumë. Libri ka format, dizajn dhe ilustrim të bukur, të veçantë dhe atraktiv.

Një vlerë e shtuar që duhet theksuar, është se libri vjen i shkruar në dy gjuhë, në shqip dhe në anglisht. Kjo u shërben lexuesve për të praktikuar mësimet e para. Si konkluzion, për vlerat ideoestetike dhe edukative, libri është pëlqyer nga lexuesit e vegjël, si një nga librat më të realizuar artistikisht, zbavitës dhe edukativ.  Theksoj se kemi fatin të debutojë një shkrimtar i ri, i talentuar i cili premton t’i shtojë sukseset e reja letërsisë sonë për fëmijë. Suksese Florit, trashëgimtarit më të ri të letërsisë shqipe për fëmijë.